“Mos e nënvlerësoni fuqinë ushtarake të Rusisë”, paralajmëron shefi gjerman i Mbrojtjes: Është e aftë për të zgjeruar konfliktin dhe…

Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, shefi gjerman i Mbrojtjes ka paralajmëruar se konflikti mund të marrë përmasa më të mëdha.

Ai është shprehur se Rusia ka potencialin dhe mund të hapë një ‘front të dytë lufte’.

Gjenerali Eberhard Zorn, ushtari më i lartë i Bundeswerhr-it në një intervistë për mediat ka thënë se Rusia nuk duhet të nënvlerësohet, duke shtuar se Rusia është shumë e aftë që të zgjerojë konfliktin.

“Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse mund të jetë e kapur në Ukrainë për momentin, por, megjithatë, ne nuk duhet të nënvlerësojmë potencialin e forcave tokësore ruse për të hapur një teatër të dytë lufte. Pjesa më e madhe e marinës ruse nuk është vendosur ende në luftën kundër Ukrainës dhe forcat ajrore ruse kanë ende një potencial të rëndësishëm, i cili përbën një kërcënim edhe për NATO-n. Rusët kanë në dispozicion sasi të mëdha municionesh. Ky municion është pjesërisht i vjetër dhe shumë i pasaktë, por është pikërisht kjo që shkakton shkatërrime të mëdha në infrastrukturën civile. Ata gjuajnë rreth 40,000 deri në 60,000 fishekë artilerie në ditë”, ka thënë ai.