Presidenti Begaj dekoron me titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin e njohur Helidon Haliti

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ditën e sotme ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” piktorin Helidon Haliti me motivacionin: “Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur artistike në artin figurativ, i vlerësuar si piktori “Mjeshtër i akuareleve’’ dhe si intelektual i angazhuar në edukimin e shoqërisë me vlera kulturore dhe artistike. Në vlerësim të promovimit të artit shqiptar nëpërmjet ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë.”

Presidenti Begaj në fjalën e tij tha se Helidon Haliti është një piktor modern bashkëkohor dhe surrealist në kufijtë e realizmit magjik, siç e përcaktojnë edhe kritikët e artit, por frymëzimi tij nga temat shqiptare e bën atë më të veçantë, gjithashtu e bën vlerësimin që i jepet sot më kuptimplotë.

Miq nga bota e artit dhe familjarë të mjeshtrit të madh, Haliti, ishin sot të pranishëm në Institucionin e Presidentit të Republikës për të ndjekur dekorimin e tyre, si dhe për të ndarë së bashku emocionet e një vlerësimi të merituar, dedikuar punës së tyre si një trashëgimi e lënë për artistët e rinj.

Artisti Helidon Haliti është një ndër artistët tanë më të njohur dhe kontributi i tij është nderuar me çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar për një kontribut të madh kryesisht në 15 vitet ë qëndrimit të tij në Greqi, në organizimin e ekspozitave të ndryshme si dhe prezantimin e Artit dhe Kulturës Shqiptare në shtetin helen. Me kthimin e tij në Shqipëri, vlen të theksohet që artisti Helidon Haliti ka një kontribut të gjerë prej 17 vitesh.

Haliti është ndër emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohorë Shqiptarë, një artist shumë i njohur me artin e tij si në Shqipëri dhe jashtë saj, pjesëmarrës në shumë bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, mbi 5 ekspozita personale, i nderuar me çmime të kalibrit të lartë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një artist mjaft i vlerësuar nga kritikë e studiues arti. Veprat e tij janë pjesë e muzeumeve dhe galerive , si dhe koleksionistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj.


Shtuar 9.05.2023 18:38