Limaj: Per "korrjet e 2011", pyesni ne Ministri te Bujqesise
Albeu.com
"Për korrjet që mund të bëhen vitin tjetër, ju mund të pyesni ministrin Blerand Stavileci". Në këtë mënyrë, Fatmir Limaj, ministër i Transportit dhe Post -Telekomunikacionit ka ironizuar me deklaratat e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreeswijk.
Kreu i akuzës së EULEX-it, dy ditë më parë u shpreh se ato që do të mbillen sivjet, do të korrën vitin tjetër, duke aluduar në hetimet dhe arrestimet për korrupsion që janë duke u bërë.

Ndërkohë, sipas ministrit Limaj, ai do të vazhdojë të punojë për të mirën e këtij vendi dhe se gjyqtarët më të mirë të punës së tij tha se janë qytetarët e Kosovës.

"Ata më vlerësojnë punën time dhe të ministrisë që drejtoj", u shpreh Limaj.

I pyetur nga Express se si i mendon raportet me Misionin Evropian në Kosovë, nëse në vitin tjetër nuk do të jetë në mesin e atyre që pritet të korrë EULEX-i, Limaj tha: "Për korrjet që mund të bëhen vitin tjetër, ju mund të pyesni ministrin Blerand Stavileci". Ai në këtë mënyrë nuk dha përgjigje të qartë, por u shpreh se do të vazhdojë punën që është duke e bërë për të mirën e vendit.

Ministri Fatmir Limaj, këto komente i bëri në një konferencë për media, ku paraqiti raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, i cili thekson se në këtë ministri, për vitin 2009, nuk ka gjetur thuajse asnjë parregullsi financiare.

"Në një vend tjetër, do të duhej që ministria e cila ka punuar në këtë mënyrë, të merrte mirënjohje", u shpreh ministri Fatmir Limaj.

Dalja në publike ministrit Limaj është rralluar dukshëm që nga koha kur më shumë se dy muaj më parë, EULEX-i bastisi zyrat e kësaj ministrie nën pretekstin e luftimit të korrupsionit. (express)
Shtuar më 01/07/2010, ora 21:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori