Ligji i ri/ Punonjësit në naftë, paga minimale bëhet 55 mijë lekë
Nga mesi i muajit mars e në vijim asnjë punonjës në industrinë e naftës dhe të gazit, që gëzon statusin e naftëtarit, nuk mund të paguhet më pak se 55 mijë lekë.

Paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës dhe reflekton të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, si dhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin e saj në shëndet. Paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit nuk mund të jetë më e ulët se 150% e pagës minimale në shkallë vendi.

Këto janë dy përcaktimet në lidhje me trajtimin financiar ët naftëtarëve të cilat hyjnë në fuqi pas 51 ditësh pasi ligjin i ri për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit është botuar dje në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj përcakton statusin e punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit, i cili përfshin pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, të drejtat dhe detyrimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të industrisë së naftës e të gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimin e saj në shëndet, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

PËRFITUESIT

Statusin e punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe të gazit. Këtë status e përfitojnë edhe ata persona që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohëzgjatjes së punës në këtë industri.

Personat që përfitojnë statusin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese, e cila lëshohet nga komisioni i ngritur për këtë qëllim pranë ministrisë përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit.

Në dhënien e dëshmisë shërbejnë dokumentet e përcaktuara në këtë ligj. Rregullat e organizimit, funksionimit dhe përgjegjësitë e këtij komisioni, si dhe formati i dëshmisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për këtë industri.

MARRJA E STATUSIT

E drejta për marrjen e statusit të punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit lind që nga data e fillimit të punës në industrinë e naftës dhe të gazit.

E drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon të përfitojë pension, sipas përcaktimeve të këtij ligji, e përfiton atë: a) nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte; b) nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin.

FINANCIMI

1.Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë dhe nga buxheti i shtetit. Për personat, të cilët kryejnë punë në industrinë e naftës dhe të gazit, në profesionet e përcaktuara në ligj të këtij ligji, do të paguhet kontribut shtesë në masën 5 për qind të pagës bruto. Kontributi shtesë paguhet 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.

Kontributi i sigurimeve shoqërore në masën 5% mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me kontributin shtesë, përballohen nga buxheti i shtetit.

LLOGARITJA E PENSIONIT

Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

TRAJTIMI MJEKËSOR DHE SOCIAL

Përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend. Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë ndërton ose detyron kompanitë që operojnë në industrinë e naftës dhe të gazit të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialistë që trajtojnë problematikën shëndetësore të shkaktuar nga puna në këtë industri:

a) Në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna në industrinë e naftës e të gazit, përfituesit e statusit të naftëtarit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie me FSDKSH- në. Nëse kurimi nuk ofrohet nga këto institucione, përfituesit e statusit kurohen në institucione private brenda vendit që ofrojnë këtë kurim dhe financohet nga buxheti i shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar.

b) Në rastet e sëmundjeve që vërtetohet direkt ose indirekt nga puna në industrinë e naftës dhe të gazit, që nuk kurohen brenda vendit, përfituesit e statusit duhet të kurohen falas jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet nga buxheti i shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar. Përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25% të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi.

DOKUMENTET PËR STATUSIN

Qenia naftëtar ose ish-naftëtar vërtetohet me këto dokumente:
1. Për ish-naftëtarin, libreza e punës, e shoqëruar nga një vërtetim i posaçëm zyrtar, i lëshuar nga ndërmarrja ose institucioni ku ka qenë i punësuar personi, i konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, në të cilin përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës, sipas nenit 2, të këtij ligji, dhe kohëzgjatja e punës.

2. Për ish-naftëtarin që ka dalë në pension, vërtetimi i posaçëm lëshohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe konfirmohet nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit.

3. Për naftëtarin që është i punësuar në industrinë e naftës dhe të gazit, libreza e punës, e shoqëruar me vërtetimin e posaçëm, të lëshuar nga ndërmarrja ose institucioni ku është i punësuar, dhe i konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, në të cilin përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës sipas nenit 2, të këtij ligji, dhe kohëzgjatja e punës.

4. Për ish-naftëtarët dhe naftëtarët në marrëdhënie pune, konsiderohet punë në industrinë e naftës e të gazit edhe periudha e punës në të njëjtin profesion ose ekuivalente me të, në shtete të tjera, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore.

5. Kriteret dhe procedurat për lëshimin e vërtetimit të posaçëm zyrtar.

Kërkesa për përfitim nga statusi i naftëtarit

1. Përfitimi i pensionit, sipas përcaktimeve të neneve 9, 10, 11 e 15, të këtij ligji, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij.

2. Përfitimi financiar, sipas përcaktimeve të nenit 8, pika 1, të këtij ligji, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Këshilli i Ministrave miraton politika dhe masa mbështetëse për punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit për plotësimin e nevojave të tyre për strehim.

Shpërblimi financiar pas ndërprerjes së punës

1. Personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi pune, sipas përcaktimit të nenit 7, të këtij ligji, burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet dhe që janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në punësim, kanë të drejtën e një përfitimi financiar, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se 80 për qind e pagës minimale në shkallë vendi. Masa, kohëzgjatja dhe procedura e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet./GSH/
Shtuar më 24/02/2017, ora 09:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori