Trump, Johnson dhe problemi i vërtetë me populizmin

Nga Jan-Werner Müller “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Donald Trump është i paditur në gjyq për disa akuza; Boris Johnson është gati në prag të përjashtimit nga parlamenti britanik; Silvio Berlusconi u nda nga jeta duke u larguar nga skena italiane që e kishte dominuar për dekada. Ekspertëve mund t’u falet nëse nxituan ta shpallin vdekjen e populizmit së bashku me atë të Berlusconit.

Liberalët ka të ngjarë të ndihen të justifikuar në këndvështrimin e tyre se populizmi përfundon gjithmonë jo vetëm me dështimin e politikave populiste – pasi populistët supozohet se ofrojnë zgjidhje të thjeshta për problemet komplekse – por edhe me nuancat e paligjshmërisë.

Trump dhe Johnson po përballen me ndëshkim për gënjeshtrat e tyre. Ndërsa Berlusconi, duke qenë subjekt i 35 hetimeve penale gjatë karrierës së tij politike, u dënua për mashtrim me të dhënat tatimore të bizneseve të tij. Megjithatë, një pikëpamje e tillë është në vetvete e thjeshtë.

Populizmi dhe korrupsioni janë të lidhura midis tyre. Ndaj fakti që disa populistë përfundojnë në gjykatë nuk është dhe aq i habitshëm. Por koncepti se populizmi në fund do të vetë-shkatërrohet, është një mendim komod për liberalët më të shqetësuar.

Në fakt, kur ka një “fund të lojës”, ai është veçanërisht i rrezikshëm, sepse udhëheqësit që  pretendojnë se përfaqësojnë në mënyrë unike njerëzit, ndiqen dhe mbështeten nga shumë njerëz, ndaj kanë shumë për të humbur. Kjo është një sfidë për të cilën historia e përballjes me liderët autoritarë të shekulli XX, na ofron disa mësime.

Por pse udhëheqësit populistë priren të bëhen autoritarë? Në dallim nga urtësia konvencionale, jo të gjithë ata që gjejnë gabime tek “elitat” ose janë të zemëruar me “stabilitetet” janë automatikisht populistë. Është e vërtetë, që kur janë në opozitë, populistët i sulmojnë qeveritë në detyrë dhe partitë e tjera.

Por ata bëjnë edhe diçka tjetër: pretendojnë se ata dhe vetëm ata, përfaqësojnë atë që ata shpesh i referohen si “shumica e heshtur” ose si “populli i vërtetë”. Të gjithë pretendentët e tjerë për pushtet diskreditohen si thelbësisht të korruptuar. Ajo që tha Trump për Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA përbënte një ekstrem, por jo një përjashtim.

Nuk ka populizëm pa akuza për “pandershmëri”. Nga ana tjetër, pretendimi për monopolin e përfaqësimit të popullit, nënkupton se qytetarët që nuk ndajnë (ose thjesht nuk i përshtaten) idesë që kanë populistët për “popullin” nuk i përkasin fare popullit. Kjo akuzë mund të ngrihet ndaj “globalistëve”, po aq sa edhe pakicave të margjinalizuara dhe të cënueshme. Marrim rastin e presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Në vitin 2014, ai deklaroi në një kongres të partisë së tij “Ne jemi populli”. Pastaj ai iu drejtua kritikëve me pyetjen: “Po ju kush jeni?”. Trump i përgjigjej kundërshtimit ndaj politikave të tij, jo duke ofruar një mbrojtje pak a shumë të arsyetuar. Përkundrazi, ai i quante kritikët si “jo-amerikanë”. Kjo është një pikëpamje e thjeshtëzuar ndaj njerëzve, që e mohon në thelb pluralizmin e shoqërive bashkëkohore.

Ndërkohë liberalët e marrin si të mirëqenë që populistët në qeveri do të tregojnë shumë shpejt se nuk mund të mbahen premtimet e tyre demagogjike. Ndaj mund të pritet që ata të humbasin mbështetjen elektorale. Ose populistët mund të bëhen pragmatikë duke pushuar së qeni populistë.

Në fakt lideri indian Naredra Modi, ai hungarez Victor Orbán dhe shumë të tjerë kanë treguar vitet e fundit se populistët janë në gjendje të qeverisin. Dhe kjo nuk do të thotë se qeveritë populiste do të kenë gjithmonë sukses në aspektin e politikave. Ndërkohë populistët në pushtet mund të mbeten të tillë populistë.

Asnjë populisti në pushtet nuk i kanë munguar asnjëherë armiqtë dhe kundërshtarët në radhët e elitës (natyrisht “elitat e fshehta ndërkombëtare”, ose George Soros, mund të akuzohen shumë lehtë). Trump, Johnson dhe Berlusconit u pëlqente të luanin lojëra me hedhjen e fajit: Trump dhe Johnson e paraqesin veten si viktima të komplotit të “shtetit të thellë”. Martirizimi i Berlusconit iu atribuua gjyqtarëve komunistë.

Por në dallim nga populistët e tjerë, ata shfaqën gjithashtu një përzierje shumë të çuditshme të mendjelehtësisë dhe dobësie morale të dukshme. E pranonin se ishin mëkatarë, duke i dhënë përkrahësve të tyre leje për të falur veten edhe për dështimet e tyre, një ndryshim ky thelbësor me kultin e heroit të fashizmit.

Nuk është rastësi që Berlusconi dhe Trump i kryenin punët e qeverisë në pallate personale të krijuara për një jetë të shthurur (fjala “pallat” përcaktonte fillimisht rezidencat private të perandorëve romakë) apo që Johnson u rrëzua për shkak të festave joserioze që mbante ai së bashku me stafin.

Nga ana tjetër, populistët tregojnë një aftësi të jashtëzakonshme për të mësuar nga njëri-tjetri. Një leksion është kapja e sistemit gjyqësor, më pas i medias, dhe zgjedhjet mund të manipulohen sipas dëshirës. Trump dhe Berlusconi, por edhe lideri brazilian Jair Bolsonaro u ngjitën në krye pa ndonjë përvojë reale të drejtimit të një shteti.

Dhe në fund nuk u interesuan kurrë për të. Por kjo nuk është e vërtetë për liderët e tjerë populistë. Në fakt, ajo që ne vëmë re në fillim të shekullit XXI-të mund të quhet edhe një formë e veçantë populiste e qeverisjes. Ajo s’ka të bëjë me “të dhënit njerëzve atë që duan”. Përkundrazi, bëhet fjalë për kapjen e shtetit në emër të “popullit”, duke zëvendësuar nëpunësit civilë me militantët besnikë; por edhe shpërblimin e mbështetësve materialisht

dhe me favore burokratike, duke dëbuar të gjithë të tjerët. Po ashtu, populistët kundërshtojnë çdo opozitë nga shoqëria civile me pretendimin se ata që protestojnë duhet të jenë “aktivistë me pagesë” ose “agjentë të huaj”.

Nga ana tjetër në politikë ekzistojnë pak avantazhe më të mëdha në politikë sesa nënvlerësimi i vazhdueshëm i një lideri, që mund të shihet si joserioz. Kështu imazhi i Boris Johnson si një burrë i mirë në mesin e establishmentit britanik, dhe një bufon i dashur në mesin e gjithë të tjerëve, pengoi vënien re të instinkteve dhe veprimeve të tij autoritare:nga shpërndarja e parlamentit deri tek përplasja me Komisionin Zgjedhor dhe në përgjithësi me prirjen për të shkelur ligjet vendase dhe ato ndërkombëtare.

Por Johnson u frenua nga një parti politike gjysmë funksionale, diçka që nuk është e vërtetë për liderët e tjerë populistë. Berlusconi u largua nga pushteti me urdhër të BE-së në vitin 2011, por nuk u mposht dot nga forcat brenda sistemit politik italian, nga presidenti tek gjyqtarët e pavarur. Ndërkohë, Trump arriti ta shndërrojë Partinë Republikane në një kult personaliteti.

Ndërkaq, populistët kanë mësuar nga historia. Dhe kudo që është e mundur, ata përpiqen të shmangin prodhimin e imazheve që do t’i kujtonin audiencës vendase dhe ndërkombëtare shumë lehtë diktaturat e shekullit XX-të. Ka shumë arsye të besohet se Giorgia Meloni, udhëheqësja e Fratelli d’Italia post-fashiste, të grupohet mes populistëve të tillë të zgjuar.

Ajo po e modelon veten si një konservatore e përgjegjshme dhe e respektuar, e hapur për një aleancë me kristiandemokratët e moderuar të Evropës. Në rrafshin ekonomik po aq e matur sa Mario Draghi, dhe dukshëm e ndryshme nga veprimet pro-Putin të partnerit të saj të koalicionit Matteo Salvini.

Deri më sot, asnjë populist i djathtë nuk ka ardhur në pushtet në Evropën Perëndimore apo Amerikën e Veriut pa bashkëpunimin e konservatorëve tradicionalë, përfshirë shumë elita të biznesit. Por siç ka treguar kohët e fundit politologu amerikan Larry Bartels në librin “Demokracia gërryhet nga lart”, vala populiste është më shumë një çështje e ndryshimit të sjelljes së elitës sesa e ndryshimeve dramatike në opinionin publik. Është pikërisht ky bashkëpunim që e bën të vështirë dobësimin apo mënjanimin e tyre.

Marrë me shkurtime
Shënim:Jan-Werner Müller, është profesor i politikës në Princeton University. Libri i tij më i fundit titullohet “Rregullat e demokracisë”.

 


Shtuar 19.06.2023 14:17

Tags: