Ligji i ri në Shqipëri/ Zyrtarët me pajisje përgjimi edhe në dhomat e gjumit
Në çdo ambient që do të frekuentohet nga zyrtarët e dyshuar për korrupsion dhe njerëzit e krimit, duke përfshirë zyrën, lokalet e preferuara, shëtitjet, dhomat e banesës, makinën etj., do të vendosen pajisje përgjimi dhe kamera të fshehta survejimi, pra nuk do të ketë asnjë kufizim për përgjimet parandaluese.

Përgjimi i bisedave telefonike dhe bashkëbisedimeve në ambiente private dhe publike të të dyshuarve për praktika korruptive apo për çdo vepër tjetër penale, në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe të Gjykatës Speciale, do të mundësohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Kështu parashikon ligji i ri për përgjimet parandaluese, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe i hartuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, duke e përputhur me të gjithë paketën ligjore të përgatitur në kuadrin e Reformës në Drejtësi.

Byroja e Hetimit

Projektligji u jep kompetenca të njëjta si Prokurorit të Përgjithshëm ashtu edhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në fushën e përgjimeve, ndërsa parashikon të drejtën e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të përgjuar. Në kuadër të luftës antikorrupsion, projektligji zgjeron objektin e përgjimit, duke përfshirë sinjalet, shkrimet, fotografitë, të dhënat audio-vizuale dhe çdo lloji tjetër informacioni të marrë ose transmetuar nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik, sjelljet, veprimet dhe bisedat e kryera në vendet private dhe publike.

Nisma zgjeron edhe kuptimin e termit ‘përgjim’, duke përfshirë jo vetëm regjistrimin e bisedave, por edhe videot e survejimit të fshehtë, të mjediseve private dhe publike si dhe dëgjimin e regjistrimit të fshehtë të bisedave në mjediset private dhe publike. Sa i takon ambienteve private, ligjit u jep të drejtë hetuesve të Byrosë Kombëtare të kërkojnë vendosjen e pajisjeve të përgjimi, sipas mundësive, në çdo ambient, madje edhe në dhomat e gjumit, në funksion të efikasitetit të hetimeve. Vendosja e pajisjeve do të mundësohet nga punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, me anë të metodave dhe praktikave të tyre.

Dhënia e të drejtës për përgjim

Sipas ligjit, drejtori i SHISH, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve elektronike nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik, dhe video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike. Prokuroria kompetente paraqet kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë ë pajisjes elektronike të komunikimit ose video survejimeve të fshehta në vende publike dhe private tek kryetari i Gjykatës së Posaçme. Kryetari i Gjykatës, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim për përgjim, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit, ose video survejimit të fshehur të ambienteve publike dhe private.

Kohëzgjatja e përgjimit

Nisma ligjore rregullon kohëzgjatjen e vendimit për përgjimin e komunikimeve elektronike, si edhe për video survejimin e fshehtë dhe përgjimin e bisedave në mjediset publike dhe private të, cilat janë të vlefshme për një periudhë deri në tre muaj. Në çdo rast, zgjatja e afatit ose masat e reja nuk mund të jenë me tepër se tre muaj. Projektligji i njeh të drejtën drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorit të Përgjithshëm të njihen në çdo kohë, nga drejtuesi i institucionit që ka kërkuar përgjimin, me rezultatet e përgjimit, si gjatë afatit të përgjimit, ashtu edhe pas përfundimit të tij, shkruan Shqiptarja.com.

Situata emergjente

Në situata emergjente, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ose një prokuror i autorizuar prej tij, kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, urdhëron me shkrim realizimin teknik të procesit të përgjimit ose video survejimit, ndërsa revokimi i vendimit të përgjimit ose video survejimit bëhet nga kryetarit i Gjykatës se Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, kur gjykon se përgjimi ose video survejimi nuk është më i vlefshëm sipas ligjit.

Disa nga ndryshimet në ligjin për përgjimet

Neni 5

Në nenin 7 bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Në pikën 1 fjalët "...pranë Prokurorit të Përgjithshëm..." hiqen dhe shtohen fjalët "...- prokurorisë kompetente...". Shkronja "c" e pikës 2 ndryshon si më poshtë: "c) përshkrimin e komunikimeve elektronike ose të objekteve private apo publike që do të përgjohen dhe, kur është e përshtatshme, të dhënat për operatorin e komunikimit elektronik që i ofron shërbim subjektit që do të përgjohet".

Neni 9

Në nenin 11 ndryshon si vijon: Pas marrjes së vendimit për përgjim, kur vihet re se pajisjet fundore të subjektit që përgjohet janë shtuar ose ndryshuar, nuk përsëritet kërkesa për përgjim. Në këtë rast institucioni që ka kërkuar përgjimin është i detyruar të njoftojë me shkrim për pajisjen e re fundore, kryetarin e Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose në mungese të zëvendëskryetarin -dhe Strukturën Përgjegjëse të Përgjimeve në SHISH. Afatet e përgjimit në këtë rast mbeten të pandryshuara.

Neni 10

Në nenin 12 ndryshon si vijon: Në pikën 1 pas fjalëve "...SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit..." shtohen fjalët "...komunikimeve elektronike, video survejimit të fshehtë të mjediseve private dhe publike ose të dëgjimit dhe regjistrimit të fshehte të bisedave në mjediset publike dhe private...".

Në pikën 1 fjalët "nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik" hiqen. Në fjalinë e dytë të pikës 1 pas fjalëve "...për llogari të Policisë së Shtetit..." shtohen fjalët "...Byrosë Kombëtare të Hetimit...". Në pikën 2 bëhen ndryshimet si më poshtë: "Pas fjalëve "...punonjësit e seksionit të përgjimeve të Policisë se Shtetit..." shtohen fjalët "...Byrosë Kombëtare të Hetimit...". "Fjalët "Prokurori i Përgjithshëm" hiqen dhe shtohen fjalët "ose / dhe Prokuroria kompetente ". Në pikën 3 fjalia e parë, pas fjalëve "...në SHISH dhe seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit..." shtohet "...Byrosë Kombëtare të Hetimit...".

Neni 15

Në nenin 17 bëhen ndryshimet si m ë poshtë: Pika 1 riformulohet si më poshtë: 1. "Për situata emergjente, me kërkese verbale të drejtuesit të institucionit shtetëror informativ, sipas nenit 6 të këtij ligji, Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme ose një prokuror i autorizuar prej tij sipas nenit 8 të këtij ligji, kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, urdhëron me shkrim realizimin teknik të procesit të përgjimit ose video survejimit.

Urdhri regjistrohet menjëherë në evidencat e bërthamës komanduese elektronike të prokurorisë kompetente- dhe të specialistët e Strukturës Përgjegjëse të Përgjimeve në SHISH ose seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Me regjistrimin e urdhrit, specialistët e Sektorit të Përgjimeve ose të seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtarë të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme realizojnë procesin e përgjimit."

Pika 2 riformulohet si më poshtë: "2. Brenda 8 orëve nga fillimi i përgjimit ose video survejimit, institucioni shtetëror informativ që ka bërë kërkesën, i paraqet Prokurorit të Përgjithshëm ose Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkesën e rregullt me shkrim, e cila përmban arsyet e veprimeve emergjente së bashku me komunikimin e përgjuar të zbardhur. Mbi këtë bazë merret vendimi përkatës brenda 24 orëve për vazhdimin ose ndërprerjen e përgjimit." /Albeu.com/
Shtuar më 19/01/2017, ora 07:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori