Ligji i PD, deputetët pa imunitet kur hetohen për korrupsion
Albeu.com
Mazhoranca sjell në Kuvend nismën për heqjen e imunitetit. Ja teksti i plotë i projektligjit.PD-ja drejt realizimit të një tjetër premtimi të madh të fushatës. Atë të lënies vullnetare të imunitetit të deputetit në rastet e ndjekjes penale për veprën e korrupsionit. Thelbi i amendimit që do të jetë të hënën në Kuvend i paraqitur si nismë e kryetarëve të grupeve parlamenatrë aleate të PD-së; PR-së, PDR-së, PAA-së dhe PBDNJ-së, parashikon që, nëse për një deputet apo për një ministër ka elementë të mjaftueshëm për të nisur ndjekjen penale, vetëm për akuza që lidhen me korrupsionin, atëherë Kuvendi nuk ka nevojë të votojë për heqjen ose jo të imunitetit. Me këtë nismë ligjore të maxhoranës deputetët nuk do të gëzojnë imunitet dhe ata do të jenë si të gjithë qytetarët e tjerë; të hetueshëm, nëse dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.

Nisma
Çdo deputet që do të ndiqet penalisht për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës nuk do të gëzojë më imunitetin që ka. Ky është thelbi i projektvendimit të përgatitur nga krerët e partive politike qeverisëse në konsultim me kryeministrin Sali Berisha. Sipas projektvendimit, lënia e imunitetit do të bëhet për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit. Në nenin 2 të projektvendimit thuhet se pas miratimit të këtij vendimi për lënien e imunitetit të deputetëve, fillimi i ndjekjes penale mund të bëhet pas 48 orësh pas njoftimit me shkrim që Prokurori i Përgjithshëm i dërgon kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit vë në dijeni dhe i dërgon materialet e çështjes Komisionit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe deputetit ndaj të cilit fillon ndjekja penale. Kur lënia e imunitetit nuk i mbulon nevojat e ndjekjes penale dhe të hetimit, atëherë me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në mënyrë individuale për çdo deputet, Kuvendi mund të vendosë heqjen e imunitetit. Kjo heqje e imunitetit zgjat sipas rastit deri në: Përfundim të hetimit; zëvendësimin e saj me autorizimin për heqjen e imunitetit për arrestimin e deputetit; marrjen e vendimit gjyqësor së formës së prerë të pafajësisë ose të pushimit të çështjes; mbarimin e mandatit të deputetit.

Shtojca
Këshilli i Ministrave ka përgatitur një amendament për përfshirjen e saj në nenin 118 të Rregullorës së Kuvendit që bën fjalë për imunitetin e deputetit. Sipas nenit 6 të materialit të përgatitur, paragrafi 1 i rregullores së Kuvendit ndryshohet si vijon: ”Imuniteti i deputetit bie kur Kuvendi vendos lënien e tij për të gjithë deputetët, në rastet e ndjekjes penale për vepra të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës ose kur hiqet me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm për deputetë të veçantë dhe për të gjitha llojet e veprave penale”.

Kërkesa
Për heqjen e imunitetit për deputetë të veçantë kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë.
Nevila Perndoj, Shekulli
Shtuar më 25/09/2005, ora 21:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori