Ligji i mbetjeve/ Shalsi: Do shqyrtohet në janar, të hapur për propozime
Deputeti socialist dhe njëherësh kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi, ka thënë se nuk ka ende një afat të përcaktuar për shqyrtimin e dekretit të Presidentit mbi ligjin e mbetjeve. Në një prononcim për mediat, ai tha se Komisioni do të jetë i hapur për të gjithë ata që kane propozime konkrete mbi ligjin në fjalë.

"Nuk ka ndonjë teori konspirative për shtyrjen e dekretit, pasi nuk ka afat për shqyrtimin e dekretit në komisionet parlamentare, por ka afat nga momenti i shqyrtimit në komision deri në seancë.

Nuk është shkelur asnjë rregull parlamentar. Së dyti më duhet t’iu them që ka pasur debate dhe shqetësime në lidhje me këtë ligj nga deputetë të ndryshëm, nga PS dhe LSI.

Nuk i kam mohuar asnjëherë, por kemi shprehur vullnetin për ta përmirësuar. Iu rikujtoj që propozimi im fillestar, iu nënshtrua disa amendamenteve.

Sot ka deputetë të PS dhe LSI që mendojnë që mbi ndonjë pikë të argumenteve të Presidentit mund të reflektohet. BE e solli një përgjigje të qartë për argumentin kryesor të Presidentit, që ligji nuk binte ndesh me rregullat e BE.

Ka një pikë tjetër, që kërkojnë konsultime dhe disa kanë propozime konkrete për vendosjen e kuotave për sasinë që duhet të përpunojë një biznes në raport me mbetjet e vendit dhe të jashtme, jemi të hapur për të reflektuar.

Synim ka qenë që industria e riciklimit duhet mbështetur. Nuk po flasim për plehra, por mbetje të riciklueshme. Do të hapim diskutimet në komision sapo të kemi marrë propozimet për përmirësimin e ligjit.

Propozimet i presim nga deputetët, grupet e interesit dhe Shoqëria Civile. Jam vënë në dijeni për propozimin për kuotat.

Meqë një nga pikat ishte mungesa e konsultimit, unë besoj që cilido që e ndien veten të përjashtuar, të thotë fjalën e vete me çfarë nuk është dakord.

Ndërtimi i iniciatorit në Fier, Elbasan apo dhe Tiranë, e kemi përjashtuar kategorikisht importin e mbetjeve për incinerim në Shqipëri. Jemi të hapur për ndryshimin e pikave të caktuara.

Jam konsultuar, por mund të ishin bërë më mirë, mund të ishin bërë. Tymnaja mediatike nuk ka vend, çfarë duhet të bëj më shumë për të dëgjuar. Jo të gjitha argumentet e Presidentit qëndrojnë, pasi BE u shpreh qartë. Ligji do të mbetet pas janarit, nuk pritet që të ndodhë para festave". /albeu.com/


Shtuar më 22/12/2016, ora 13:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori