"Ligji antimafia nuk ka funksionuar", Leshaj shtyn afatin e përfundimit të misionit nga OFL
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka paralajmëruar se Operacioni Forca e Ligji mund të shtyhet deri në një moment të dytë dhe nuk do të përfundojë më 1 janar, sikundër ishte deklaruar më parë.

Lleshaj tha në një intervistë në RTSH se do të kërkohet një shtyrje e afatit të vlefshmërisë së ligjit, në mënyrë që procedurat të cilat tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen.

“Praktika e këtyre muajve dhe ngarkesa e madhe që solli pandemia ka ndryshuar disa nga supozimet bazë dhe do të na duhet ndoshta që të mendojmë një amendim të ligjit. Do të kërkohet një shtyrje e afatit të vlefshmërisë së ligjit, që të paktën procedurat që tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen. Do të lihet pak kohë, do të kushtëzohen me mbylljen e çdo procesi të nisur”, ka thënë Lleshaj.

Operacioni Forca e Ligjit nisi prej shkurtit të vitit 2020. Ministria e Brendshme tha se qëllimi i këtij operacioni ishte bllokimi i asetetve të krimit. Formularët e vetëdeklarimit të pasurisë iu shpërndanë publikisht të gjithë atyre personave të cilët sipas ligjit ishin dënuar për grupe kriminale, terrorizëm apo dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Por deri tani ende asnjë proces gjyqësor nuk ka përfunduar me konfiskim të pasurisë për llogari të shtetit. Janë gjithsej 192 kërkesa të trajtuara nga SPAK, nga të cilat janë kërkuar 49 konfiskime të cilat rezultojnë ende në proces.
Shtuar më 25/11/2020, ora 12:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori