Lidington: Mos pengoni procesin e sundimit të ligjit
Ministri Britanik për Europën, Z. David Lidington deklaroi sot keqardhjen e tij për dhunën dhe humbjen e jetëve gjatë protestës të premten e kaluar në Tiranë. Sipas tij imazhet nga Tirana që pamë në ekranet tona televizive javën e kaluar nuk janë imazhe qe ne duam të shohim nga një shtet që dëshiron antarësim në Bashkimin Europian.

“Mënyra më e mirë tani për të treguar respekt për viktimat, respekt për ata punonjës policie të cilët u sollën me përmbajtje dhe profesionalizëm, është që të sigurohet një hetim penal i plotë, i pavarur, për ngjarjet të premten e kaluar, veçanërisht për të shtënat me armë. I kërkojmë fuqimisht autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar plotësisht me hetimin e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe partitë politike të përmbahen për të mos sulmuar integritetin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të mos pengohet procesi i nevojshëm i sundimit të ligjit”, theksoi Lidington.

Në këndvështrimin e tij drejtësia nuk mund të kryhet brenda natës. Qeveria e SHBA-së, tha ai, ka ofruar mbështetje të rëndësishme ekspertësh për Prokurorinë e Përgjithshme, që do të ndihmojë për të shpejtuar procesin.

“I dërguari i BE-së Lajçak e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Tiranë dje se BE-ja, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu janë të gatshëm për të ndihmuar. Edhe me mbështetjen ndërkombëtare, një hetim i besueshëm do të marrë kohë. Gjatë këtij momenti të rëndësishëm dhe delikat, kur kredibiliteti ndërkombëtar i Shqipërisë është në rrezik, tubime te tjera, sado paqësore të jenë qëllimet e tyre, mund të shkaktojnë përplasje të tjera. Ne kërkojmë nga të gjithë që të mos lejojnë një përsëritje të ngjarjeve të së premtes së kaluar”, këmbënguli Lidington.
Shtuar më 27/01/2011, ora 20:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori