Lidhje intime me Habilajn, oficerja e policisë “tradhëton” Saimir Tahirin
Pëlqej
Saimir Tahiri edhe ditën e djeshme shpëtoi nga arrestimi për shkak se socialistët e komisionit nuk hoqën dorë nga mbështetja ndaj ish-ministrit të tyre.

Pika kyçe që pretendohej të kthejë në favor të Prokurorisë çështjen, ishte një dëshmi nga një police.

Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e KrimeveRënda ka mësuar në përgjimet e bisedave të anëtarëve të grupit, se kjo oficere ka qënë mike e kreut të grupit kriminal, Moisi Habilaj, i arrestuar pak ditë më parë nga prokuroria e Katanias.

Nisur nga këto të dhëna, prokuroria ka shoqëruar pak ditë më parë këtë punonjëse police, duke i administruar dëshminë e saj në dosje.

Oficerja, ka treguar se mes saj dhe Moisi Habilaj ka pasur një miqësi, dhe se gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë, Habilaj i ka thënë se është kushëri i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm.

Sipas saj, kjo bisedë është bërë në një Bar-Kafe në qytetin e Vlorës, ku Moisiu i ka pohuar se kishte siguri në këtë punë, pasi ishte kushëri i Tahirit.

Në rrëfimin që ka dhënë para prokurorëve oficerja ka kërkuar garantimin e mbrojtjes fizike dhe jetës së familjarëve të saj, ndërkohë që ka shtuar se në diskutimet që ka bërë me Habilaj, ky i fundit i kishte premtuar se do ndërhynte lart për ta ngritur në gradë dhe për ta emëruar në një pozicion më të mirë punë në polici.

Në një farë mënyre kjo oficere ishte kthyer dhe si informatore e Habiljat dhe zbulimi i saj, ka bërë që ajo të bashkëpunojë me prokurorinë. Pasi ajo ka shumë gjasa që të jetë në listën e oficerëve të policisë në Vlorë, që mund të arrestohen në periudhën në vijim.

Duket se për ti shpëtuar prangave të Prokurorisë së KrimeveRënda, oficerja ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar atë që dinte rreth lëvizjeve të grupit që drejtohej me Habilaj, policët e implikuar me këtë grup dhe bisedat e ndryshme që ka bërë Habilaj me këtë punonjëse policie gjatë kohës kur kanë qëndruar së bashku.

Burime pranë “Shqiptarja.com” thanë se kjo oficere kishte udhëtuar disa herë në Greqi me Moisi Habilaj, por sipas saj këto udhëtime kanë qënë për disa probleme personale dhe dijeninë e saj, nuk bëhej fjalë për trafik droge. Dëshmia e kësaj oficereje tashmë është administruar në dosjen e prokurorisë, ndërkohë që kjo shtetase është marrë në mbrojtje nga prokuroria.

Vetë prokurorët e KrimeveRënda deklaruar në Këshillin e Kuvendit se disponojnë dëshminë e një efektiveje, e cila është mikeshë e ngushtë e Moisi Habilajt. Efektivja ka dëshmuar përpara prokurorëve të krimeverënda se Moisiu i ka pohuar se ka kushëri Tahirin.

Prokurorët thanë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit se kjo është një tjetër provë që lidh Tahirin me Habilajt.

Dalja në skenë e kësaj dëshmie është kthyer “Thembra e Akilit” për çështjen e arrestimit ose jo të ish-ministrit të Brendshëm. Prokurorët kanë këmbëngulur se dëshmia e efektives është në unison dhe gjen mbështetje nga provat e tjera indirekte kundër ish-ministrit Saimir Tahiri.

Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve i pohuan Report Tv se edhe kjo provë e re e paraqitur nga prokurorët e KrimeveRënda nuk ka qenë bindëse për anëtarët socialistë të këtij këshilli, pasi nuk përbën asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Moisi Habilajt. /albeu.com/

Shtuar më 22/10/2017, ora 08:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori