Ndryshon rezultati në Maqedoni, këtë raund e vështirë të zgjidhet presidenti (FOTO
Liberalizimi i vizave zbraz Luginen e Presheves
Albeu.com
Jonuz Musliu ka një brengë që nuk mund ta zgjidhë në komunën e tij. Kryetari i Asamblesë Komunale të Bujanocit vëren dita-ditës se si të rinjtë e komunës largohen nga qyteza drejt vendeve të Perëndimit.
Fluksi i të larguarve nuk është shumë i papritur në këtë komunë me shumicë shqiptare në Serbi. Lidhet me një vendim politik evropian që është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, por që tani edhe po jep efekte anësore.

Që nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, e deri tani nga Lugina e Preshevës janë larguar rreth 9 mijë qytetarë shqiptarë të këtij rajoni, kryesisht të moshave të reja. Kjo është përafërsisht dhjetë për qind e gjithë popullatës shqiptare në këtë pjesë të territorit brenda kufijve shtetërorë të Serbisë e që njihet ndërkombëtarisht si Lugina e Preshevës.

Ky fluks i madh i migrimit të qytetarëve shqiptarë të Luginës ka shqetësuar edhe përfaqësuesit politikë, institucionalë dhe ata fetarë në këtë rajon, duke apeluar tek qytetarët për mosmigrimin e tyre.
“Kjo lëvizje që po bëhet nga rajoni ynë është në dëm të shqiptarëve, sidomos në Komunën e Bujanocit, duke pasur parasysh përqindjen e shqiptarëve në këtë komunë. Kjo dukuri është shqetësuese për shqiptarët e Bujanocit”, thotë Jonuz Musliu, lider i Lëvizjes për Prosperitet Demokratik dhe njëherësh kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit.

Musliu pohon se shteti ka bërë presione të ndryshme vazhdimisht dhe shqiptarët kanë pasur periudha të vështira, por nuk kanë qëndruar në trojet e veta. Tani një lehtësim udhëtimi bën që ata të largohen shpejt.
Bashkimi Evropian ka përfunduar më 30 nëntor procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Serbisë, duke mundësuar kështu që nga 19 dhjetori udhëtimin pa viza në shtetet e BE-së për të gjithë qytetarët me pasaporta biometrike.

Siç dihet, Kosova nuk është përfshirë ende në procesin e liberalizimit të vizave. Shumë syresh udhëtojnë në Bujanoc apo Preshevë, duke kërkuar të marrin shtetësinë e Serbisë, në kërkim të pasaportës së kuqe biometrike që garanton udhëtim pa vizë në shtetet e BE-së.

Mirëpo, liderët politikë dhe fetarë të Luginës pohojnë se në planin afatgjatë liberalizimi e dëmton popullatën shqiptare.
“Populli ynë, posaçërisht banorët e rajonit tonë, gjatë historisë janë
ballafaquar me probleme të llojeve të ndryshme”, është shprehur Ulvi Fejzullahu, imam në qytetin e Bujanocit. “Lëvizjet që po bëhen sot në drejtim të Perëndimit nga qytetarët e shumtë të Luginës nuk janë në favor të popullatës sonë”.

Burime të agjencive të ndryshme në Luginë bëjnë të ditur se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, që kur qytetarëve të Serbisë u janë hequr vizat, nga Komuna e Bujanocit janë larguar 4 200, ndërsa nga ajo e Preshevës 4 800 qytetarë.

Megjithatë, hyrja në shtetet e Perëndimit pa vizë nuk nënkupton leje pune.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Serbisë është i tipit C dhe kjo
nënkupton se shtetasit e Serbisë nuk kanë të drejtë punësimi as shkollimi në Perëndim. Ata të cilët udhëtojnë jashtë shtetit duhet t'i përmbahen edhe një rregulli, i cili parasheh që brenda 6 muajsh ata kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm 90 ditë në një shtet.

Nagip Arifi, zëvendëskryetar i Bujanocit, thotë se qytetarët duhet ta kuptojnë se nuk është e vërtetë se shtetet e BE-së ofrojnë azil për qytetarët e Luginës së Preshevës.
“Këto janë vetëm thashetheme”, tha ai. “Më nuk pranohen azilkërkues nga Serbia”.

Pronarët e agjencive turistike nga Lugina e Preshevës thonë se një largim i këtillë masiv ka qenë i pranishëm vetëm në fillim të viteve nëntëdhjetë, me hyrjen e masave të dhunshme të regjimit të Milosheviqit, kur mijëra shqiptarë qenë dëbuar nga vendet e tyre të punës.
“Nuk ka punë... Me ikjen në Perëndim i them lamtumirë skamjes dhe mjerimit”, pohon Arbeni, një i ri nga Bujanoci, i cili pret pasaportën e re biometrike. “Këtu gjendja ekonomike është e vështirë”. (koha)
Shtuar më 14/02/2010, ora 23:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori