Ditë e trishtë për artin shqiptar, ndahet nga jeta shkrimtari dhe skenaristi i njohur

Një ditë e trishtë e sotmja për artin shqiptar, teksa bëhet me dije se është ndarë nga jeta studiuesi, shkrimtari dhe skenaristi i njohur Nasho Jorgaqi. Lajmin për largimin e Jorgaqit, në moshën 90-vjeçare, e ka dhënë nipi i tij nëprmjet fjalëve:

‘Më ke mësuar t’i fal njerëzit kur ata gabojnë, të ringrihem edhe kur nuk ka më asnjë shpresë, tani po shkon në një botë më të mirë’.

Jorgazi ishte autor i një sërë veprash të njohura si “Dashuria e Mimozës”, “Mërgata e qyqeve”, i biografisë letrare të “Qemal Stafës” si dhe i studimeve si “Estetika e fjalës shqipe” apo i veprës letrare të Nolit e të tjerë. Po ashtu ai ishte ndër skenaristët e parë të filmit artistik shqiptar, me realizime si “Mimoza llastica”, “Duel i heshtur”, “Tomka dhe shokë e tij” si dhe dokumentarëve për Nolin e Qemal Stafën. Si përkthyes solli në shqip autorë të njohur si Çehov, Gollsuorth e të tjerë.

Ishte dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” si “Mjeshtër i Madh i Punës”, por edhe jashtë kufijve. Instituti Amerikan i Biografive e ka nderuar me “Medalje të Artë Nderi”, ndërsa Qendra Ndërkombëtare e Cambridge e ka përfshirë në librin “Njerëz të shquar të shekullit të XX-të”.

Homazhet në nder të shkrimtarit do të mbahen të premten pranë Akademisë së Shkencave nga ora 12.00 në orën 14.00, ndërsa më pas do të përcillet për në banesën e fundit në Sharrë.


Shtuar 26.08.2022 08:59