Lezha përuron ujësjellësin e ri të bashkëfinancuar nga Zvicra, Gjermania dhe BE
Pas një investimi prej 13.25 milionë eurosh përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në qytetin e Lezhës ka përfunduar rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me ujë. Shiriti i përurimit u pre gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në ambjentet e depove të ujit, të ndërtuara në kuadër të projektit.

Në ceremoni morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministri i Infrastukturës dhe Energjisë Z. Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë Lezhë Z. Fran Frrokaj, Ambasadori Zvicerian në Tiranë, Z. Christoph Graf, Zv. Ambasadorja Gjermane, Znj. Anke Holstein si edhe funksionarë të tjerë të lartë. “Jam i lumtur që kontributi i Zvicrës mundi të sjellë një ndryshim.

Po ashtu jam i gëzuar të them që ndërmarrja e ujësjellësit të Lezhës është tashmë një histori suksesi”, tha Ambasadori Zvicerian, Z. Christoph Graf gjatë ceremonisë së përurimit. Ndër të tjera ai përmendi faktin se objektivat e projektit u arritën, duke përfshirë këtu rritjen e numrit të familjeve, të cilat furnizohen me ujë të vazhdueshëm 24 orë në ditë, mundësinë për të pirë ujë në shtëpitë e tyre dhe krijimin e një ndërmarrjeje ujësjellësi edhe më efikase Ndërkohë Zv. Ambasadorja Gjermane, Znj. Holstein vuri theksin mbi nevojën e reformave të mëtejshme: “Jam e lumtur t’ju siguroj që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen.

Megjithatë, investimet japin frytet e veta vetëm nëse ato shoqërohen nga reforma strukturore. Masat e deritanishme për t’i dhënë fund informalitetit janë mëse të nevojshme, sikundër janë edhe reformat e kuadrit ligjor, institucional dhe atij financiar”.

Punimet ndërtuese dhe rehabilituese u bashkëfinancuan nga qeveria Zviceriane me një grant prej 10 milionë eurosh, Qeveria Federale Gjermane, përmes KfW-së me 3 milionë euro dhe Bashkimi Evropian me 250.000 euro, të cilat shkuan për rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Lezhës.

Me përfundimin e punimeve, furnizimi me ujë i qytetarëve të Lezhës arriti në 95% nga 80% që ishte në vitin 2014. Gjatë punimeve u shtrinë rreth 128 km tubacione të rrjetit të furnizimit me ujë si dhe u ndërtuan nga fillimi 3 rezervuarë uji. Me përfundimin e investimit, Lezha i bashkohet Korçës dhe Pogradecit si një nga qytetet shqiptare që kanë furnizim të pandërprerë me ujë gjatë gjithë ditëve të javës.

Sipas raportit më të fundit, niveli i mbledhjes së të ardhurave në Lezhë arriti në 84%, çka dëshmon një rritje të konsiderueshme nga vitet e shkuara ndërkohë që qytetarët shprehen të kënaqur me shërbimin e furnizimit me ujë.

Ndërkohë, mbulimi i kostove u rrit nga 47% në 124%. Kjo rritje e performancës vjen si pasojë e investimit si dhe përmirësimit të kapaciteteve të ndërmarrjes.

Ky investim është pjesë e Programit “Infrastruktura Bashkiake I”, e bashkëfinacuar nga Zvicra, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, i cili tashmë ka arritur në fazat III dhe IV dhe do të vazhdojë përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë në 7 bashki në jug të vendit.

Programi ka për qëllim të sigurojë një furnizim me ujë higjenikisht të sigurtë, me tarifa të cilat mbulojnë kostot dhe janë të përballueshme nga ana sociale si edhe përmirëson largimin e ujërave të ndotura.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Federale Gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milionë euro qysh prej vitit 1998.

Sektori ka tërhequr gjithashtu financime nga ana e Bashkimit Evropian, i cili ka dhënë rreth 110 milionë euro grante në dekadën e fundit, 30% të të cilave i janë deleguar KfW-së për projekte, duke përfshire këtu edhe Lezhën.

Ky partneritet i sukseshëm midis KfW-së, Zvicrës dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt meqënëse një program i përbashkët investimesh, i bazuar mbi performancën, është duke u përgatitur, gjë që do të mbështesë gjithashtu reformën në sektorin e ujit të lançuar së fundmi nga Qeveria Shqiptare në fund të vitit 2017.
Shtuar më 13/01/2018, ora 13:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori