Levizje ne BE
Albeu.com
Një nga pesë shtetet e BE’së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, pritet të dalë nga pozicioni refuzues. Instruksionet për këtë janë dhënë në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të BE’së, të hënën në Bruksel.Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë i ka hapur rrugë njërës nga pesë shtetet e Bashkimit Europian që të shqyrtojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

Një nga pesë shtetet e BE’së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të qartësojë pozicionin lidhur me statusin e shtetit të ri.

“Instruksionet për këtë janë dhënë në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të BE’së, të hënën në Bruksel”, kanë thënë burime të gazetës Express.

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja janë pesë nga njëzet e shtatë anëtarët e Bashkimit Europian që nuk kanë pranuar të njohin Kosovën. Secila nga to ka dhënë arsye të ndryshme për këtë qëndrim.

Ndryshe, Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka deklaruar për gazetën austriake “Der Standard” se pret njohje edhe nga pesëshja e Bashkimit Europian.

Pozicioni i tyre vazhdon të jetë pengesë për institucionet e BE’së që ta trajtojnë Kosovën si shtet. Për këtë arsye, edhe procesi i afrimit të shtetit të ri drejt Bashkimit Europian është i komplikuar dhe më i ngadalshëm.

Bashkimi Europian ende nuk ka arritur konsensus lidhur me Kosovën. Këtë nuk ka mundur ta bëjë as të hënën, në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, ku janë shprehur qëndrime edhe rreth opinionit këshillues rreth GJND’së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nga takimi i tyre i parë që nga marrja e kryesimit të BE’së nga Belgjika, nuk ka pasur as konkluzione për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ministrat kanë dhënë deklarata të ndryshme për gazetarë, shumica e të cilëve kanë mbështetur qëndrimin e Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, e cila për vendimin e GJND’së, ka folur në emër të BE’së. Ajo sërish ka bërë thirrje për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur gatishmërinë e BE’së që të lehtësojë këtë proces. Ashton ka thënë se lidhur me dialogun ka biseduar me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë, Boris Tadic.

Shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për shumë çështje, por jo edhe për statusin politik të Kosovës.

“Mendoj se Serbia dhe Kosova duhet të përfshihen në një dialog të sinqertë dhe transparent, përveç për statusin. Natyrisht, Europa duhet të dërgojë mesazh pozitiv në Serbi, posaçërisht duke shpejtuar procesin e integrimit”, ka thënë ai.

I pyetur se a duhet të ketë njohje të reja për Kosovën nga shtete të BE’së, ai është përgjigjur: “Varet nga secili shtet veç e veç. Italia ishte një nga shtetet e para që e ka njohur Kosovën, kështu që ne e kemi kryer punën tonë. Tani situata është shumë më e qartë se në të kaluarën”.

E njëjta pyetje i është parashtruar edhe ministrit të Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt.

“Duhet t’i pyesni ato (shtete). Mendoj se përgjigjja që pritet nga ta është të presim dhe të shohim. Duhet të provojmë të vendosim një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. Ka mjaft çështje të pastra praktike që ka nevojë të adresohen, që janë në interes të të dyja palëve. E kemi përfunduar një fazë, qartë. Mos prisni gjë që mund të zgjidhet brenda natës. Ky është një proces i gjatë”, ka thënë Bildt.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë britanike, William Hague ka thënë se vendimi i GJND’së është mundësi për të hapur një kapitull të ri, një periudhë të re për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duam që ata të punojnë së bashku, në mënyrë praktike, sepse rruga përpara për tërë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën, është anëtarësimi në BE. E mirëpres fuqishëm mendimin e GJND’së”, ka thënë Hague.
Ministrat e jashtëm të Spanjës dhe Qipros përsëritën se nuk kanë ndryshuar qëndrimet ndaj pavarësisë së Kosovës.

BE fton Kosovën e Serbinë për dialog praktik

Të 27 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mbështetur deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE-së Catherine Ashton për Kosovën, ku thuhet, se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hap një fazë të re. Tani fokusi duhet përqendruar në të ardhmen; e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Evropian, theksohet në deklaratë.

Në kontekstin e integrimit evropian, BE-ja është shprehur e gatshme për të lehtësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për çështje të bashkëpunimit rajonal, për integrimin evropian dhe përmirësimin e kushteve të qytetarëve. Disa ministra të Jashtëm e kanë shprehur qartë këtë qëndrim që në fillim të takimit.

“Unë e mirëpres mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj, siç e ka shprehur edhe baronesha Ashton, se kjo është një mundësi për të filluar një kapitull të ri, një periudhë të re të marrëdhënieve Serbi-Kosovë . Ne duam që të dyja palët të vendosin një dialog për çështjet praktike, pasi rruga e të ardhmes për të gjitha vendet e Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën edhe Serbinë është anëtarësimi në BE-në”, ka thënë sekretari për Punët e Jashtme i Britanisë së Madhe, William Hague.

Ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Built, ka theksuar: "Ne duhem te vendosim një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi ka një numër të çështjeve praktike që duhen zgjidhur dhe kjo është në interesin e të dyja palëve. Tani mund të themi, se kemi mbyllur një fazë në mënyrë të qartë, por nuk besoj, se mund të presim që çështjet e tjera të zgjidhen shpejt".

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini theksoi: “Italia ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Pra, ne e kryem detyrën tonë. Situata tani është shumë më e qartë se në të kaluarën. Mendoj, se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në një dialog konstruktiv për çështje praktike duke përjashtuar çështjen e statusit kuptohet. Njëkohësisht, BE-ja duhet ti dërgojë një sinjal inkurajues Serbisë duke nxitur integrimin evropian të saj, duke e transferuar dosjen e aplikimit për statusin e kandidatit nga Këshilli te Komisionit”.

Bashkimi Evropian konsideron se deklarata e Catherine Ashton reflekton mendimin e 27 vendeve anëtare të BE-së, megjithëse pesë prej tyre nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, për shkak të çështjeve tê tyre tê brendshme, prej të cilëve dhe rasti i Qipros.

Marcos Kyprianou, Ministri i Jashtëm i Qipros theksoi se mendimi i GJND-së ka të bëjë me një pikë të kufizuar, që lidhet me deklaratën e pavarësisë. “Ne mendojmë, se çdo çështje që lidhet me integritetin territorial të një vendi duhet të kalojë nëpërmjet negociatave. Pra, s'e kemi ndryshuar mendimin”, ka shtuar Kyprianou.

Ashton fton Prishtinën e Beogradin për dialog

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka ftuar Prishtinën dhe Beogradin për nisjen e dialogut të ndërsjelltë.

“Vendimi i GJND-së ka qenë shumë i qartë. Unë kam folur me presidentin Tadiq dhe kryeministrin Thaçi, dhe u kam dhënë ofertën për nisjen e dialogut mes të dyja vendeve. Ajo që dua të siguroj është se të dyja e kanë të ardhmen në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ashton, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

Edhe pas GJND-së, BE pa qëndrim unik

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar sot rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

GJND-ja u shpreh se Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Sikur raporton Radio Evropa e Lirë, bazuar në deklaratat e para të disa ministrave nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, pak ka shenja se këto vende do të mund të ndryshojnë qëndrimin.

Ministrat e Spanjës dhe të Qipros kanë thënë se vendet e tyre nuk do të ndryshojnë mendimin dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Nga shumë burime të BE-së mësohet se në diskutimet e sotme shumë ministra kanë përsëritur porosinë për Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen për një dialog praktik, i cili do të ndihmonte në lehtësimin e raporteve në rajon, në përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve dhe në afrimin e rajonit drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Ata i kanë shprehur mbështetje të plotë porosisë që në emër të BE-së ka dhënë përfaqëusesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, e cila, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, kishte ftuar Beogradin dhe Prishtinën që të shfrytëzojnë këtë fazë të re për nisjen e një dialogu.

BE-ja thotë se Unioni është i gatshëm ta ndihmojë këtë dialog dhe ka bërë ftesë që të dyja palët ta pranojnë këtë ofertë.

Në anën tjetër, disa shtete të Bashkimit Evropian thonë se në atë dialog janë dy linja të kuqe. E para është se nuk mund të ketë rinegocim të statusit të Kosovës, pasi që kjo çështje konsiderohet e përmbyllur, si dhe nuk mund të diskutohet për ndarje territoriale të Kosovës apo për shkëmbim territoresh.

REL raporton se mendimi i GJND-së duket se nuk ka ndihmuar shumë në ndërtimin e një uniteti të plotë të Bashkimit Evropian, sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet unik rreth angazhimit në Kosovë, përfshirë mbështetjen e plotë të EULEX-it, në ndihmë të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në garantimin e një perspektive evropiane të Kosovës. (nga Bekim Greiçevci, express)
Shtuar më 27/07/2010, ora 11:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori