Si doli nga burgu Hekuran Billa që u ekzekutua mbrëmë: Do punoj korrier!

Në vendimin e Gjykatës së Krujës për t’i hequr pesë vite burg, Hekuran Billës, i ekzekutuar mbrëmjen e shkuar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, përveç sjelljes së mirë, ka përfituar edhe për shkak të prindërve.

“I dënuari kërkues Hekuran Billa ka arsye të veçanta të cilat përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht e që konkretisht janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet me probleme të shëndetit të dokumentuara me akte mjekësore”.

Prindërit e Billës jetojnë në fshatin Domje edhe me djalin tjetër të tyre.

Midis arsyeve të firmosura nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, është edhe gjendja financiare e tij, shkruan panorama.

“Gjithashtu arsye tjetër është edhe gjendja ekonomike e vështirë pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi pranë studios ligjore, ku do të punësohet si korrier dhe është i motivuar që të riintegrohet në shoqëri duke dashur të kujdeset për familjen dhe për një punësim të qëndrueshëm”.

Për këto arsye, gjykata e Krujës pezulloi periudhën e mbetur të dënimit prej 5 vite e dy muaj, duke sjellë lirimin me kusht të Billës.


Shtuar 12.06.2020 18:38