Letra e një infermiere për Edi Ramën
Në ndërrim të viteve kryeministri Edi Rama ju dërgoi një letër të personalizuar gjithë personelit mjekësor të Shqipërisë. S’do mend, që një e tillë më erdhi dhe mua.S’pata fat ta marrë në dorë pasi më qëlloi të jem turni i tretë, por ma kishin lënë tek zyra e kuadrit të spitalit.

Mënyra si u njoftova për letrën në emrin tim s’qe dhe aq dinjitoze po nejse. Ndërsa ngjisja shkallët për në pavion, u këmbeva me shefin e kuadrit, që më hungëroi diçka si të tille si..”na moj shushkë, ke një letër tek zyra ime nga ai i gjati”
E mora letrën dhe mu bë zemra mal.Kam 30 vjet infermiere dhe s’i ka rënë njeriu në mend për ëua të më dërgojë kartolinë, që nga koha kur kisha burrin ushtar s’kam marrë të tilla. …Me fal se s’tu prezantova…Jam Elisabeta , shkurt e gjatë Beti më flasin, infermiere ne spitalin N siç thoshe ti me të tallur në fillimet e tua.

Kartolinë goxha luksoze dhe e punuar me shije.Jashtë e brenda kishte vetëm ty, stemën tënde të re, ambjentet e reja të kryeministrisë. Po unë i vlerësojë punët me dorë.Më duken shumë të personalizuara dhe se vë re edhe kanë nga pak kult individi me tepri brenda.

E lexoja shkallëve letrën tënde dhe zemra mal më bëhej. Më falënderoje për bashkëpunimin dhe përkushtimin.Në fakt ne s’para kemi bashkëpunuar, se ku ti e ku unë. Ndërsa sa për përkushtimin, unë kam 30 vjet që bëjë këtë punë se më duhet rroga dhe njëlloj e kam bërë edhe për Nard Nokën punën, me të njëjtin përkushtim ndaj s’ke pse më falenderon.

Por, gjithë ajo përshtypje pozitive për kartolinën e personalizuar erdhi e mu zbeh krejt, kur mora vesh si i kishin marrë në apel, gati në rresht personelin për tu shpërndarë letrën tënde sikur të qemë në Korenë e Veriut.

Dhe fillova të mendoj pak si menaxhere.Po sikur me lekët e kartolinave të na kishte bërë një banjë të re për pavionin, se ne e dimë ç’heqim. Për një të urinuar, shkojmë 3 pavione me tutje se ne s’kemi banjë, na u bllokua dhe e bënë depo më në fund.

Le pastaj sikur të na kish bërë ca dollape ku vishemi e zhvishemi, se jo vetëm që s’kemi një garderobë, po zhvishemi në infermieri pas ca dollapeve. Dhe dollapet janë ndihma, që nga koha e krizës së kosovareëve dhe të mbushur me furrttare. Edhe tavolina e tillë është. Karriget i kemi të gjitha me 3 këmbë, se nuk mbahet mend sa jam unë të jemi furnizuar ndonjëherë me mobilje.

Eh mor Ed , shpirt i motrës, ç’të të them më parë. Këtu nuk ka asgjë. S’ka sapunë, s’ka doreza, s’ka çarçafë, krevatet janë të kohës së Nuhut.

Atë natë s’mu duk fare koha. Fluturoi nata si me magji, vetëm prej kënaqësisë që më kishe dërguar një letër…

Kam hequr të zitë e ullirit me një të sëmurë që nuk urinonte dot dhe më duhej t’i fusja një kateteter se po plaste.Po kateter s’kishte gjëkundi. Dërgova njërin, ia bleu tek farmacia e natës. 2 mijë lekë bën i shkreti, po ja që s’e gjen kur të duhet. Kërkova e ku s’kërkova për një palë doreza, që të mos ia prekja hallatet me dorë burrit të botës, po në fund i dhashë karar me duar se po plaste. U qetësua i shkreti njeri. Ka mbushur një legen me urinë, ku e pati mbajtur ditëziu dhe sa më ka falenderuar thua ti…më shumë se Ti në letër, sigurisht.

Dalë jashtë dhe fut dorën në xhep, kur ç’të shof. Më kishte futur një 2000 leksh të vjetër fshehurazi në kohën që unë po punoja.U ktheva dhe e bëra rezil.

‘” S’të vjen turp që më jepë lekë, i thashë. Po ke dëgjuar ti që mjekësia është falas, po për mbulimin universal që flet Ed Rama ke dëgjuar…Le që janë dhe spiunët e tij nëpër këmbë, na ruajnë si qentë. Do të më marrësh në qafë ti. Bëj nder, e gjej qeder, i thonë kësaj pune”’

Natën hëngra dynjanë se kish 30 të sëmurë dhe sa i mbarohet serumi njërit, akoma s’ia ke filluar tjetrit, po drejtoria thotë që mjafton një infermiere, pse çdo bëni ju…

E di ti Ed, që tek spitali ku unë punoj nuk ka sistem sinjalizimi me zile dhe me dritë alarmi, po të thërrasin me majëkrahi ‘, ‘’Oj cuce, ku je se mbaroi surumi…”’

Në korridor temperatura ishte minus 8 gradë celsius, se ne s’kemi sistem ngrohje. Kaloriferë në mure kemi, po nafta e kaldajës ka vite që s’dihet ku përfundon dhe nuk janë ndezur kurrë, ndaj punojmë me golf e me pardesy mbi përparësen e bardhë.

Vras mendjen s’u del më keq ju kështu, që ngrohet çdo pacient me kalorifer, sesa t’i kishit me ngrohje të përqëndruar…? Se tani ca i burgosin dhe për 30 mijë lekë të vjetra me ç’kam dëgjuar dhe s’u mbyllet çështja derisa e mbyllin vetë…Më duket se ju jeni siç themi ne tironsit, gjimoni kokrrën e ullinit dhe ju hik oka e vojit…

Mirëpo ti Ed, në letër po me thoshje se jemi në rrugën e modernizimit dhe unë në atë pak kohë që pata të lirë, nisa të ëndërrojë sikur spitali im do bëhej një ditë normal, ku të hyje me kartë, ku t’i kishe të dhënat në një kompjuter të lidhura për çdo dhomë dhe jo në atë regjistrin e madh me kapakë ngjyrë m… si defter turk, ku çarçafët do ndërroheshin 2 herë në ditë, ku çezma do të kishte ujë të ngrohtë e të ftohtë, ku taualeti do të kishte edhe dush, ku ajri i kondicionuar do të bënte të punoje shpenguar, ku ambulancën do ta kishe tek dera dhe s’do t’ia vidhte benzinën drejtori, ku dollapi do të kishte të gjitha barnat që duhen dhe të mos isha e detyruar të bëjë këtë në vend të atij që s’e kam.. ku aget e përdorura do t’i futja në 3 kosha me ngjyra të ndryshme sipas rrezikshmërisë dhe jo në një shishe koka-kole, ku matërialet e rrezikshme do të digjeshin çdo ditë në një akseleertaor dhe nuk do të hidheshin tek kazani i plehërave….Po ç’them dhe unë. Këto s’kanë për tu bërë kurrë, se ti e ke filluar mbrapsht.

Ti flet vazhdimisht për reformë, por kjo mënyra jote shto ujë e shto oriz s’më duket se të nxjerrë gjëkundi. Pilaf do bëhet prapë në fund.

Unë jam mrekulluar kur të kam dëgjuar, që the se fajin e ka sistemi dhe jo individi, sepse është sistemi që i korrupton njerëzit. Ja një burrë i mençur që po e kap demin prej brirësh mendova.

Mbase të gënjejnë mor shpirt i motrës dhe s’i di të gjitha. Po ta thotë motra, që sistemi vetëm kështu siç po e bën ti, nuk bëhet. Mbase unë s’e kam kapacitetin të të japë mend, po dy gjëra i di dhe unë.

Sistemi aktual shëndetësor është konceptuar gabim që në fillim, sepse është krijuar nën ndikimin e tregtarëve të ilaçeve dhe në dobi të tyre. E ke vrarë ndonjëherë mendjen, pse kemi kaq shumë farmaci dhe dhe kaq pak studio mjekësore private? Sepse, të mirat e sistemit shkojnë për ta. Ata zgjedhin ministrat dhe drejtorët, dhe ty të duket sikur i zgjedh ti, po ti s’ke në duar as leshtë e Currit siç i thonë në lagjen time, se të gjitha drejtoritë i ka LSI. Dhe atje ku s’i ka ajo i ka Koqo Kokëdhima.

Pra, në qendër të këtij sistemi është pacienti pjesërisht si kavje dhe farmacisti ndërkohë, që duhet të jetë pacienti dhe doktorri, se këta janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor. Farmacisti është ndihmës i tyre, ashtu siç jam edhe unë. Ti po bën një vrimë në ujë, se po i dënd me ilaçe. Nuk po i shëron, as nuk i parandalon. Sa për atë check-up in që po e paraqet si reformim, mos ta dëgjojë njeri se e bënte shoku Enver para teje. Dërgonte një ekip mjekësor nga Tirana dhe i chekonte të gjithë qytetarët e një qyteti. Ky mbulimi universal i yti, megjithëse s’më plas fare për të, se ai u realizoka në 2030 sipas ministrit, kështu që unë kam shkuar tek ara e Tares deri atëherë, por dhe ty s’të lë njeri kaq gjatë në pushtet, kot përpiqesh, do t’ju vërë më shumë ilaçe në dispozicion të varfërve apo çfarë?

Po ti pse i bie kaq gjatë mor shpirt i motrës? Për të ndihmuar ata që s’kane fuqi paguese, listën e të varfërve e ke gati, që nga kjo puna e dritave. Paguaju faturën e spitalit atyre sipas kushteve që do vendosësh ti dhe s’ke pse mendon as për çarçafë, as për ushqim, as për ilaçe, as për rrogat tona, se spitali e di vetë pastaj si e rregullon punën; kë do mbajë e kë do heqë nga puna prej nesh.

Meqe ra fjala tek çarçafët Edo, ma ke nxirë mbrëmë fare. Kisha një të sëmurë, që villte dhe lëre që mbeta duke i larë të vjellat, po s’kisha çarçafë t’ia ndërroja. Se e ka marrë një firmë pastrimin e spitalit dhe ajo kalon dy herë në ditë siç e ka në kontratë, për të futur një leckë, po s’vjen sa herë kemi nevojë ne. Se këto punet me bereqet, i kanë marrë privatët. Vetëm këto punët e ndyra që bëjmë ne, s’i marrin përsipër.

Eh mor Ed, të na i kishe dhënë lekë për Vit të Ri ato shpenzimet e kartolinave, do na kishe bërë punë se jemi hollë vërtetë. Ti s’e di po unë tentova një muaj të jem e ndershme dhe të mos pranojë asnjë bakshish, po të lutem mos ia thuaj njeriu këtë. Mora rrogën, 25 mijë lekë të reja. Pagova dritat, që të mos më fusje në burg zotrote,14 mijë lekë, pagova dhe ujin 20 mijë lekë, bëmë dhe dy oferta telefoni 20 mijë lekë, bleva dhe një ilaç për lavatriçen 10 mijë lekë, bleva dhe ca ilaçe për prindërit, (se ato që jepni ju tek lista janë niseshte s’bëjnë efekt) 60 mijë lekë dhe pashë se s’kisha më lekë as për autobuz. U ktheva në këmbë në shtëpi. Për të ngrënë se di si ia dola…Të bësh atë punë, që s’e bën njeri dhe të mendosh për bukën, s’më duket dhe aq e drejtë, po hajt se mbase Rilindim. Kjo shpresë na mban gjallë.
Nejse, unë po pres gjithsesi që ti ta modernizosh shëndetësinë siç thua, por duhet filluar nga gjërat e vogla, për të arritur tek të mëdhatë. Po ti, ngaqë je i gjatë shikon larg dhe nuk shef ç’ke tek këmbët…

Por, një gjë po ta them: Ti po përpiqesh të arnosh sistemin që ka endur Tritan Shehu, i shtyrë nga grosistët e barnave. Po a ka gjë që ta bëjë Tritani dhe të jetë e hajrit? Më thuaj! Sistemin po do ta bësh vërtetë, bëje nga e para, ndryshe bëji çiçin bahçes…
Me këto mendime më zuri mëngjesi dhe me letrën tënde në duar. Rrofsh që ma dërgove. Më ke bërë një nder të paparë. Isha gati që në autobus, ndërsa kthehesha në shtëpi me fytyrë të palarë se s’kishte ujë çezma, pa le pasqyrë që konsiderohet luks, të thërrisja ta merrnin vesh të gjithë.

Hej… Edi Rama më ka shkruar një letër…

Nga infermieria Beti
Spitali N
Shtuar më 06/01/2015, ora 12:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori