Leterme: Belgjika mbeshtet heqjen e vizave per Shqiperine
Albeu.com
Kryeministri i Belgjikës, vend i cili në korrik do marrë presidencën e BE-së, Yves Leterme ka siguruar mbështetjen e vendit të tij për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se liberalizmi i vizave është një çështje teknike, dhe jo politike, ndaj duhen plotësuar kushtet për heqjen e tyre. "BE ka prioritet mundësinë e heqjes së vizave për shqiptarët. Përgëzova Berishën për progresin që është bërë për heqjen e vizave. Çështja e vizave është një çështje teknike, dhe jo politike ndaj duhen plotësuar kushtet për liberalizmin e tyre", theksoi Leterme.

Leterme tha se Belgjika pret të marrë Presidencën e BE-së në korrik të këtij viti, ndaj vendi i tij është i angazhuar në një të ardhme të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. "Anëtarësimi i Shqipërisë do sillte më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit", theksoi ai.

Kryeministri i Belgjikës tha se i premtoi Berishës se vendi i tij do të ndihmojë me ekspertizë Shqipërinë për plotësimin e pyetësorit për anëtarësim në BE.
Në fund të fjalës së tij kryeministri tha se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm.

Ndërkaq, kreu i qeverisë Berisha tha se Belgjika e Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Ai tha se mori mbështetjen e kryeministri belg në rrugën integruese të vendit tonë. "Kryeministri më siguroi për mbëshetjen e tij për heqjen e vizave, por edhe në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së", theksoi ai.
Shtuar më 16/02/2010, ora 19:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori