“Çizmja” në këmbët e një gruaje

Në muajin korrik, Mario Draghi dha dorëheqjen si kryeministër i Italisë.

Kjo, pas një përçarjeje mes partnerëve të koalicionit për një votëbesim.

Largimi i tij e zhyti vendin në trazira politike dhe u caktuan zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Qeveria e ardhshme italiane do të shënojë kabinetin e 70-të që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Italia ka mesatarisht një qeveri e re çdo trembëdhjetë muaj.

Kjo është shumë më e shpeshtë se raundet zgjedhore pesëvjeçare që supozohet të ketë vendi.

Paqëndrueshmëria politike e kombit evropian varet nga disa faktorë, por në qendër të tij është sistemi politik unik, hibrid i Italisë.

“Sistemi është i rëndësishëm për përfaqësimin e ideologjive, preferencave, zonave të ndryshme. Italia është një vend shumë i larmishëm”, deklaroi Andrea Ruggeri, një ekspert i politikës italiane dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxford-it.

Sipas tij, megjithatë demokracia gjithashtu ka nevojë për politika efikase.

“Pra, një nga rreziqet me të cilat Italia është përballur në vitet e fundit ka qenë vazhdimisht mungesa e ofrimit të këtyre politikave”, shtoi studiuesi italian.

Situata
Votuesit italianë do t’iu drejtohen qendrave të votimit të dielën e 25 shtatorit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Këto të fundit, kanë të ngjarë të sjellin në pushtet një qeveri të udhëhequr nga një parti e ekstremit të djathtë.

Fitorja do të shënonte një ndryshim masiv politik për një vend që tashmë po përballet me paqëndrueshmëri të vazhdueshme ekonomike dhe politike.

Sondazhet e zhvilluara para datës 9 shtator (kur filloi periudha e ndërprerjes së energjisë elektrike) nxjerrin fitues një koalicion të krahut të djathtë.

Kjo, me shumicën e vendeve në dhomat e ulëta dhe të sipërme të parlamentit.

Koalicioni udhëhiqet nga Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë) e ekstremit të djathtë të Giorgia Meloni-t dhe përfshin tre parti të tjera me prirje të djathtë: Lega, nën drejtimin e Matteo Salvini-t, “Forza Italia” e Silvio Berlusconi-t dhe “Noi Moderati”.

Partia “Vëllezërit e Italisë” spikat mbi të tjerat dhe pritet të marrë shumicën e votave për një parti të vetme.

Ajo ka marrë pothuajse 25 për qind të votave, sipas grumbulluesit të sondazheve Politiche 2022.

Ky rezultat e nxjerr partinë e Meloni-t shumë përpara aleatit të saj më të afërt të Lega-s, i cili pritet të marrë rreth 12 për qind të votave.

Në qendrën e majtë, Partia Demokratike e udhëhequr nga ish-kryeministri Enrico Letta parashikohet të grumbullojë rreth 21 për qind të votave.

“Vëllezërit e Italisë”
Një fitore e partisë “Vëllezërit e Italisë” mund të bëjë që liderja e kësaj force, Giorgia Meloni, të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë.

Ajo do të ishte gjithashtu liderja e parë e ekstremit të djathtë – që nga ardhja në pushtet e Benito Musolini-t në Itali njëqind vjet më parë.

Partia “Fratelli d’Italia” u krijua në vitin 2012, por i ka rrënjët në lëvizjen neofashiste të shekullit të 20-të e cila u shfaq pas vdekjes së liderit fashist Musolini në vitin 1945.

Emri i forcës së djathtë politike i referohet fjalëve të para në himnin kombëtar të Italisë.

Partia është rritur në popullaritet që prej asaj kohe dhe tani ka tejkaluar partinë “populiste” Lega.

Analistët thonë se një arsye tjetër për popullaritetin e partisë ishte vendimi i saj për të mos marrë pjesë në koalicionin e fundit me bazë të gjerë të Draghi-t.

Kjo e dalloi Meloni-n “si një e huaj brenda sistemit politik dhe duke fituar më shumë shikueshmëri mediatike si e vetmja figurë opozitare”, tha në një shënim të fundit konsulenti i riskut politik, Wolfango Piccoli.

Rrënjët dhe politikat
Për sa i përket politikës, “Fratelli d’Italia” është përshkruar shpesh si “neo-fashiste” ose “post-fashiste”.

Politikat e saj i bëjnë jehonë qëndrimit nacionalist, nativist dhe anti-emigracion të epokës fashiste të Italisë.

Nga ana e saj, megjithatë, Meloni pretendon se e ka pastruar partinë nga elementët fashistë.

Kjo, duke deklaruar gjatë verës se krahu i djathtë i Italisë “ia ka lënë fashizmin së kaluarës prej dekadash”.

Kur bëhet fjalë për Evropën, “Vëllezërit e Italisë” e ka kthyer kundërshtimin e saj ndaj euros, por përkrah reformën e BE-së në mënyrë që ta bëjë atë më pak burokratike dhe më pak me ndikim në politikën e brendshme.

Plani i saj është i përmbledhur në një nga sloganet e saj: “Një Evropë që bën më pak, por e bën më mirë”.

Në nivel ekonomik, ajo ka shtyrë qëndrimin e koalicionit të qendrës së djathtë se qeveria e ardhshme duhet të ulë taksat e shitjes për mallra të caktuara.

Kjo, për të lehtësuar koston e krizës së jetesës dhe ka thënë se Italia duhet të rinegociojë fondet e saj të rimëkëmbjes COVID me BE.

“Fratelli d’Italia” ka qenë pro NATO-s dhe pro-Ukrainës dhe mbështet sanksionet kundër Rusisë, ndryshe nga Lega, e cila është ambivalente (e ndarë më dysh) për këto masa.

Megjithatë, partia ka qenë gjithashtu miqësore ndaj një prej antagonistëve kryesorë të BE-së, presidentit hungarez Viktor Orban.

Kjo, duke mbështetur liderin pasi një rezolutë e Parlamentit Evropian vendosi se Hungaria nuk mund të përkufizohet më si një demokraci.

Politikanët nga qendra e majtë kanë frikë se marrëdhëniet me pjesën tjetër të Evropës do të ndryshonin nën një qeveri të udhëhequr nga Meloni.

Ajo është përshkruar si një kameleon politik nga disa, me analistët që vërejnë ndryshime në pozicionin e saj politik me kalimin e kohës.