Si mund të dilet nga ngërçi në Luftën e Ukrainës? Ja cilët janë 5 skenarët

Nga Luciano Bozzo “Formiche.net”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Më shumë se 8 muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, dhe në mungesë të sinjaleve të besueshme që sugjerojnë ndonjë armëpushim të afërt, dhe në kushtet e një përshkallëzimi të ri të situatës në front, është e nevojshme të reflektohet se si dhe në çfarë kushtesh mund të përfundojë ky konflikt.

Në përgjithësi, një luftë përfundon kur njëra nga dy palët kundërshtare – rrallëherë të dyja – beson se kostot dhe rreziqet me të cilat do të përballet në rastin e vazhdimit të armiqësive, do të ishin më të mëdha se ato me të cilat përballet pranimi i dorëzimit.

Katër janë skenarët e mundshëm: asgjësimi i njërës nga ushtritë ndërluftuese; vazhdimi i luftës së gjatë nëpër llogore, dhe kolapsi i mundshëm i njërit ose tjetrit; një paqe e imponuar apo e negociuar; dhe ngrirja e konfliktit. Rasti i parë më ekstrem është kur lufta përfundon shpejt falë një beteje vendimtare, në të cilën asgjësohet forca, aftësia dhe vullneti për të luftuar e njërit prej kundërshtarëve.

I tillë është rasti i betejës së Sadovës në korrikun e vitit 1866, e cila e detyroi Austrinë të dorëzohej në luftën kundër Prusisë dhe Italisë. Por më të zakonshme janë luftërat e skenarit të dytë, të cilat përfundojnë për shkak të shpërbërjes së brendshme dhe ndoshta kolapsit të njërit prej palëve në luftë.

Dhe shkaku për këtë buron nga zgjatja e luftës, pra nga rritja e kostove dhe humbjeve njerëzore dhe materiale, që janë tipike të një luftë llogoresh, dhe nga humbja e kohezionit të brendshëm politik dhe social të njërit prej kundërshtarëve.

Kështu ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore në Rusi, disa muaj pas Revolucionit të Tetorit, me Paqen e Brest-Litovsk të marsit të vitit 1918, dhe në vjeshtën e atij viti që solli dorëzimin e Austrisë dhe Gjermanisë. Të njëjtin rezultat patën edhe lëvizjet nacionalçlirimtare që luftuan në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Nga ana tjetër skenari i tretë është i rrallë: luftërat përfundojnë me dorëzimin pa kushte të njërës prej palëve. Kjo ndodhi gjatë Luftën e Dytë Botërore, midis shtatorit të vitit 1943 dhe gushtit të vitit 1945, për secilën nga fuqitë e Paktit Trepalësh.

Skenari tjetër është ai që ndodh shumë më shpesh dhe që ta kë bëjë me një paqe të negociuar mbi bazën e kushteve pak a shumë të favorshme për fituesin. E tillë është për shembull marrëveshja e paqes e Zyrihut që i dha fund luftës së dytë italiane për pavarësi.

Skenari i pestë dhe i fundit është një luftë e mbyllur dhe e papërfunduar. Pra një armëpushim që zgjat me kalimin e kohës, duke i ngrirë pozicionet e arritura në terren nga kundërshtarët në fund të konfrontimit të armatosur, pa një traktat që i jep zyrtarisht fund luftës.

Kjo është ajo që ndodhi në fund të Luftës së Koresë, kur armëpushimi i Panmunjeom i korrikut të vitit 1953, parashikoi krijimin e zonës së çmilitarizuar midis dy Koreve që ekziston ende. Një situatë e ngjashme u sanksionua nga marrëveshja Simla e korrikut 1972, e cila i dha fund luftës Indi-Pakistan të vitit 1971.

Kufiri i përkohshëm midis dy vendeve u vendos më pas në Kashmir, përgjatë të ashtuquajturës Linja e Kontrollit (LoC), pra vija e frontit në kohën e armëpushimit të dhjetorit 1971. Atëherë, cili është skenari më i besueshëm që mund të ndodhë sot në Ukrainë?

Pas dështimit të ofensivës fillestare ruse, e cila sipas synimeve të agresorit duhej të ishte e shpejtë dhe vendimtare, përballja u shndërrua në një luftë llogoresh. Zgjatja e konfliktit është shkaktuar nga “sanksionimi i dyfishtë” i burimeve luftarake të palëve në konflikt.

Rusët nuk mund të godasin burimet e rezistencës dhe kundërofensive të Ukrainës, të vendosura në territorin e vendeve anëtare të NATO-s. Nga ana tjetër, nuk është e mundur apo e lejuar që përveç përjashtimeve të pjesshme dhe të kufizuara deri më sot, ukrainasit të godasin territorin e Federatës Ruse.

Në fakt, zhdukja e këtyre kufijve do të çonte në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake midis NATO-s dhe Federatës Ruse. Prandaj, lufta është kthyer në një konfrontim, në të cilin secili prej pretendentëve shpreson të shterojë aftësitë e tjetrit. Moska shpreson në avantazhin që gëzon në terma demografikë, dhe tek mungesa e kohezionit të koalicionit perëndimor për shkak të krizës energjetike dhe ekonomike.

Nga ana e tyre, ukrainasit mbështeten në epërsinë e mjeteve, informacionit, teknologjive, doktrinave të konsulencës të siguruara nga vendet e NATO-s dhe më gjerë. Regjimi i sanksioneve të rënda ka ndikuar ndjeshëm në kapacitetin ushtarak të Rusisë.

Por nuk duhet harruar se gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimit Sovjetik thuhej se nuk kishte një kompleks ushtarako-industrial, por ishte vetë një kompleks ushtarak-industrial, i trashëguar më vonë nga Federata ruse. Rusia ka ndërkohë burime natyrore pothuajse të pakufizuara dhe ka një traditë historike dhe kapacitet stoik për rezistencë.

Shpresat për një grusht shteti në Kremlin ose për një kolaps social dhe politik rus kanë rezultuar të nxituara. Për më tepër ardhja e një lidershipi të ndryshëm në Kremlin mund ta përkeqësojë situatën aktuale. Në kushtet aktuale, të dy palët nuk kanë luksin të humbasin, por as nuk mund të fitojnë.

Një përpjekje serioze për të arritur fitoren nga njëra palë, do të nënkuptonte shtrirjen e pashmangshme dhe dramatike të konfliktit. Forcimi i pozicioneve të mundshme negociuese, i përcaktuar nga njëra anë nga aneksimet ruse, dhe nga ana tjetër nga sukseset e Ukrainës në terren, e bën shumë të pamundur nisjen e një negociate paqësore në fazën aktuale dhe në të ardhmen e afërt.

Prandaj, ekziston vetëm një skenar i besueshëm: një armëpushim i favorizuar nga ngrirja e konfliktit në front, në muajt e dimrit që po vjen. Megjithatë, situata do të mbetet shumë e paqëndrueshme. Në fakt, secila nga palët do të dëshironte hakmarrjen: ukrainasit për të rimarrë territoret e humbura; dhe rusët për të konsoliduar ose rritur ato të pushtuara, apo, pse jo, për të përfunduar copëtimin e Ukrainës.

Në perspektivën e një paqeje në të ardhmen, stabilizimi i vijë së frontit do të kërkonte krijimin e një zone të çmilitarizuar, dhe praninë e një force shumëkombëshe ndërhyrëse me shumë autoritet, ose një faktor tjetër parandalues dhe efektiv ndaj të dy kundërshtarëve./albeu.com