LDK kunder koalicionit me PDK ne Prizren
Albeu.com
Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë e lidhjes së marrëveshjes së koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, duke akuzuar këtë të fundit se është burim i të këqijave në pushtetin lokal të Prizrenit.
Një ditë pas raportimeve për takimin që kanë zhvilluar udhëheqësit komunalë me kreun e degës së partisë më të madhe opozitare, kryesia e degës së LDK-së ka dal me qëndrimin zyrtar se në asnjë rrethanë nuk do të bëhet pjesë e qeverisjes.
"Në asnjë rrethanë dhe për asnjë kusht nuk ka koalicion të LDK-së me PDK-në në komunën e Prizrenit, sepse aktualisht qeveria Muja është burim i të gjitha të këqijave dhe veprimeve arbitrare e jo ligjore në komunën e Prizrenit", ka thënë nënkryetari i degës së LDK-së, Ridvan Hoxha, duke paraqitur qëndrimin e subjektit të tij në lidhje me zhvillimet e fundit.
Në të njëjtën kohë ai i ka bërë thirrje anëtarësisë së partisë që të mos brengoset në lidhje me këtë çështje, sepse për çfarëdolloj vendimi do të merret parasysh vullneti i tyre.
"Anëtarësia e gjerë e LDK-së dega në Prizren nuk duhet të brengoset dhe t’i merr si serioze dezinformatat për “marrëveshje eventuale” koalicioni me PDK-në e që janë të orkestruara nga qarqe të caktuara dhe na kanë përcjellë që prej fillimit të fushatës zgjedhore 2009. Anëtarësia e LDK-së duhet të jetë e qetë sepse asnjë marrëveshje nuk do të bëhet pa pëlqimin e forumeve të gjëra të LDK-së në Prizren, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë së gjerë", ka deklaruar Hoxha.
Sipas zyrtarit të lartë të degës së LDK-së, ky subjekt do t’i qëndroj besnik parimeve të proklamuara me partnerët opozitarë, duke përsëritur kërkesën për zhbllokimin e punës së KK-së, thirrjen e seancës se jashtëzakonshme për votëbesimin e kryesuesit të KK-së, Nijazi Kryeziu, pastaj anulimin e veprimeve joligjore të kryetarit Muja, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e nënkryetarit të dytë nga komuniteti shumicë, caktimin e organogramit të ekzekutivit, anulimin e konkursit për drejtor shkollash, tërheqjen e vendimit politik për largimin e shefit të zyrës së prokurimit Isa Osmankaj dhe formimin urgjent të një komisioni për auditim të brendshëm.
"Pa i plotësuar këto kërkesa tona që janë të ligjshme dhe nëse nuk thirret mbledhja e jashtëzakonshme ne nuk do të marrim pjesë në seancat e KK-së në Prizren.
Nëse kryetari Muja, nuk përfill këto kërkesa, LDK dhe partitë opozitare do iniciojnë procedurat dhe nismat tjera ligjore për të çbllokuar situatën në KK deri në kërkesën për zgjedhje të parakohshme- jashtëzakonshme për komunën e Prizrenit", ka shtuar nënkryetari Hoxha.
Nevoja për sigurimin e shumicës së votave në KK ka detyruar udhëheqësit e pushtetit lokal që të kërkojnë shpëtimin te rivali i tyre kryesor politik, Lidhja Demokratike e Kosovës. Burime të gazetës patën bërë të ditur se Kryetari i komunës Ramadan Muja, kryesuesi i KK-së Nijazi Kryeziu dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Hasan Hasani janë takuar ditë më parë me nënkryetarin e LDK-së, Eqrem Kryeziu, të cilit i kanë propozuar marrëveshje për koalicion, gjë që është pritur ftohtë nga ky i fundit. Mbajtjen e këtij takimi e kishte konfirmuar sekretari i degës së PDK-së dhe njëherësh kryesues i KK-së, Nijazi Kryeziu i cili ka pohuar se partia e tij zhvillon kontakte me subjektet tjera politike për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale. "Jemi në kërkim të gjetjes së alternativave për tejkalimin e situatës", ka bërë të ditur Kryeziu, duke pranuar nismën për gjetjen e partnerëve të rinj për koalicion.
Kriza ka kapluar KK-në e Prizrenit pas përplasjeve brenda degës së PDK-së, që kanë quar deri te dorëheqja e kryetarit Zafir Berisha. Mbështetja që Berisha gëzon në mesin e grupit të këshilltarëve të kësaj partie, ka prishur baraspeshën e votave në favor të opozitës. I përballur me këtë presion, kryesuesi i KK-së, Nijazi Kryeziu e kishte ndërprerë seancën e fundit të legjislativit dhe të njëjtën e kishte shtyrë për afat të pacaktuar, duke vulosur në këtë mënyrë krizën institucionale të pushtetit lokal. (koha)
Shtuar më 05/05/2010, ora 15:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori