LDK-ja pa alternative per Prishtinen
Albeu.com
LDK-ja konfirmon se është përcaktuar që Isa Mustafa të jetë kandidati i saj për Kryetar të Komunës së Prishtinës. Nënkryetari Lutfi Haziri thotë se kjo parti nuk ka alternativë tjetër.Por, vetë Isa Mustafa duket të ketë dyshime të mëdha nëse do të provojë apo jo edhe një mandat në kryeqytet.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka arritur ende të nominojë kandidatët e saj për kryetarë të komunave, përkundër që konsultimet për këtë çështje kanë filluar javë më parë.

LDK-ja vazhdon të jetë në dilemë se cilët emra mund t’ia kthejnë pushtetin në qytetet kryesore të vendit, të cilat i humbi vjeshtën e vitit 2007.

Vetëm kur është fjala për Prishtinën, Kryesia e LDK-së nuk ka asnjë dilemë. (express)
Nënkryetari Lutfi Haziri, për herë të parë ka konfirmuar se në Prishtinë LDK-ja është e përcaktuar të garojë me Isa Mustafën, prefektin aktual të kryeqytetit. “Nuk kemi alternativë tjetër”, ka thënë Haziri për Express, të martën.

Megjithëkëtë, burime të Express thonë se, ndryshe nga Kryesia e LDK’së, Kryetari i Prishtinës është në mëdyshje të mëdha nëse duhet apo jo që të garojë edhe për një mandat. Kjo, sipas tij, për arsye personale.

“Zotit Mustafa i duhet kohë të vendosë. As tash, sikurse edhe përpara zgjedhjeve të fundit, ai nuk ka asnjë dilemë se kjo është një nga detyrat më të vështira publike”, ka thënë burimi.

Isa Mustafa u nominua dy vjet më parë për Kryetar të Komunës së Prishtinës, pas sugjerimeve të Presidentit Sejdiu. Shumica e Kryesisë së LDK-së në atë kohë kishin qenë kundër kandidaturës së tij, por zgjedhjet kishin dëshmuar se ai kishte qenë zgjedhja e duhur, pasi që kishte fituar vota në Prishtinë më shumë sesa LDK-ja. Njëherësh, ai kishte mundur kandidatin më të fort të PDK-së, Fatmir Limajn.

Këto duken të jenë arsye të mjaftueshme që sërish LDK-ja ta shoh Isa Mustafën njeriun ideal për Prishtinën. “Unë mund të them tash se ne nuk kemi alternativë tjetër për Prishtinën”, thotë Lutfi Haziri.

“Megjithëkëtë, ne ende jemi në debat të brendshëm. Kjo ka të bëjë me përgatitjet që LDK-ja po bën me kuvendet e punës dhe kuvendet e jashtëzakonshme për strukturën e brendshme. Besoj se në fazën kur do të mbërrijmë në këtë nivel do të dalim edhe me emra konkret për kandidaturat tona për kryetarë të komunave”, ka shtuar Nënkryetari i LDK-së.

Ai nuk ka hezituar të çmojë punën e Kryetarit aktual të Prishtinës. “Kryetari aktual është duke punuar mirë dhe besojmë se ai do ta vazhdoj të bëjë punë të mira për Prishtinën”, ka deklaruar Haziri.

LDK-ja aktualisht qeverisë në pesë komuna të Kosovës, ndërkohë që në zgjedhjet e ardhshme lokale - të cilat sipas gjitha gjasave mbahen në vjeshtën e këtij viti - pretendon ta dyfishojë numrin e komunave të saj.

Kjo duket të jetë një betejë e vështirë.

Por zyrtarët e LDK-së pretendojnë se duke nominuar qysh tash kandidatët e saj për kryetarë të komunave, do të kenë një përparësi me parti të tjera. Sipas tyre, kandidatët e nominuar do të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për të bërë fushatë në çdo lokalitet.

Lutfi Haziri beson se procesi i nominimeve do të përfundojë shumë shpejt, derisa mohon që Isa Mustafa po kundërshton mundësinë e kandidimit të sërishëm për Kryetar të Komunës së Prishtinës.

“Nuk ka asnjë lloj hezitime tek ai. Përkundrazi përkushtimi për ta kryer detyrën e tij është me e madhe se gjithçka tjetër”, ka thënë Haziri.

Por dyshimet e Mustafës janë manifestuar publikisht nga vetë ai disa herë. Kur është pyetur nga gazetarët, ai vazhdimisht i ka bishtnuar përgjigjeve, duke thënë se për këtë çështje vendos LDK-ja.

Tutje, partitë tjera ende janë në dilema se me kënd do të garojnë në Prishtinë. Kështu, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të garojë me Fatmir Limajn, pasi që ai ka vendosur që të qëndrojë në krye të Ministrisë së Transporteve. Zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se aktualisht janë duke shikuar për gjetjen e një emri tjetër për Prishtinën. E njëjta situatë është edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe në Aleancën për Kosovën e re. Që të dy këto parti opozitare, ende nuk kanë gjetur kandidatët e tyre për kryeqytetin.
Shtuar më 22/04/2009, ora 17:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori