LDD festoi tre vjetorin e themelimit
Albeu.com
Lidhja Demokratike e Dardanisë shënoi të shtunën trevjetorin e themelimit. Kryetari i saj, Nexhat Daci tha se qëllim i LDD është Kosova e zhvilluar dhe evropiane. LDD-ja aktualisht është njëra ndër forcat kryesore opozitare në Parlamentin e Kosovës.Qeverisja ekzistuese nuk ka kapacitet dhe as vullnet politik për t’u ballafaquar me sfidat e vitit 2010, prandaj, strategji dalëse nga gjendja ekzistuese janë zgjedhjet parlamentare këtë vit, ka deklaruar kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.

Duke folur në përvjetorin e tretë të LDD-së, Daci shtoi se këto zgjedhje do të ishin për shtetin demokratik, funksional dhe kushtetues, i cili do të bënte shtetasin e vet krenar për të ardhmen e tyre në mesin e popujve të lirë të Evropës që do të thotë Kosova në NATO, BE dhe OKB – Kosova në miqësi të përhershme me SHBA.

Në një atmosferë festive, në “Sallën e kuqe” të Pallatit të Rinisë, në këtë përvjetor të LDD-së morën pjesë shumë mysafirë nga mbarë trojet shqiptare.

Duke prezantuar qëndrimit e LDD-së rreth aktualitetit politik, Daci rikujtoi se shteti i Kosovës ka lindur me ndihmë të fuqishme ndërkombëtare. Por, një ndihmë e tillë tepër e gjatë, 8 vite si protektorat e 2 vite në pavarësi, për rezultat kryesor, sipas tij, pati dembelimin e faktorit politik qeverisës vendor i cili assesi nuk mund të lëviz asnjë hap dhe në asnjë drejtim pa patericat ndërkombëtare.
“Kjo ka krijuar pasiguri dhe sterilitet të plotë të Qeverisjes shtetërore të Kosovës,” konstatoi Daci.

Siç transmeton KosovaLive, ai i referoi presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari si dy yje fanar në univers për Kosovën shtet sovran, demokratik dhe funksional të dashur për qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarinë.

Politika kombëtare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, sipas tij, ka një konsistencë të vazhdueshme me fokus në çështjet e Luginës së Preshevës, çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Duke iu kthyuer aktualitetit kosovar, Daci tha se duhet vendosur një partneritet veprues në Republikën e Kosovës me Bashkësinë Civile Ndërkombëtare, e jo servilitet dhe sterilitet konceptesh, vizionesh dhe veprimesh.
“Realizimi i këtij koncepti mbi këtë partneritet kërkon koncenzus kombëtar në Kosovë, e jo qasje si kjo e deritanishmja: pozitë-opozitë. Mjerisht qeverisja në shtetin e Kosovës nuk vepron në këtë mënyrë,” shtoi ai.
Sipas tij, veprimi i këtillë i qeverisjës e dobëson pozitën e saj në partneritet të synuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe paraqet rrezik të përhershëm për sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Qeverisja e deritanishme në Republikë ka veprim ad-hoc, nuk ka prioritete afatgjata strategjike dhe në ligjet tona kurrë nuk thekson interesin shtetëror të Kosovës.
“Harta e rrugës së ecjës së mëtejshme të LDD-së përmban drejtimet vijuese politike:
Rugovizmi si trashigimi e filozofisë politike, që nënkupton konsistencë të politikës unifikuese dhe qëndrueshmëri për zhvillim të gjithmbarshëm dhe tolerancë ndaj partnerëve, sikur edhe zhvillimi i gjithmbarshëm kombëtar dhe partneritet i besueshëm kombëtar–ndërkombëtar,” tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.

Sipas tij, në periudhën e ardhshme sfiduese dhe jo të lehtë për Republikën e Kosovës, LDD do t’i përgjigjet me punën e përbashkët pozitë–opozitë për krijimin e hartës së rrugës për sovranitet dhe integritet për shtet kushtetues, hartën e rrugës për qarkullim të lirë të shtetasve tanë për liberalizim vizash, njohje të reja për Kosovën dhe fillim të rritjes reale të ekonomisë dhe punësim të të rinjëve.
Shtuar më 13/02/2010, ora 23:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori