LDD: Doreheqja vertetoi se Ramosaj s'ishte i sinqerte
Albeu.com
Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e ka pranuar dorëheqjen e nënkryetarit të saj, Berim Ramosaj, nga kjo pozitë dhe nga anëtarësimi në parti. Zyrtarët e kësaj partie, në një konferencë me gazetarë, thanë se dorëheqja e Ramosajt vërteton se iniciativa e tij nuk ishte e sinqertë.
“LDD respekton vullnetin e shprehur përmes deklaratës së tij, po ashtu siç ka respektuar vullnetin e tij për t’u anëtarësuar në LDD. Vetë fakti i dorëheqjes së z. Ramosaj vërteton edhe një here se një iniciativë apo projekt i tillë nuk ishte i sinqertë, nuk ishte i përmasave as kombëtare e as ndërkombëtare, çka vërteton edhe një herë dyshimet e vazhdueshme të Kryesisë së LDD-së për një ide dhe projekt të tillë”, tha sekretari i Përgjithshëm i LDD-së, Lulzim Zeneli, në konferencën me gazetarë.

Zeneli shprehu keqardhjen në emër të LDD-së që për shkak të koncepteve demokratike nuk ka mundur t’ia plotësojë dëshirën edhe zotit Ramosaj “për t’ia ngritur kursin e transfereve politike, për ta shkarkuar dhe larguar nga radhët e veta, gjë që ai me paraqitjet e veta e ka kërkuar gjithnjë një gjë të tillë”.

“Me ketë rast shprehim keqardhje edhe ndaj votuesve të LDD-së, votat e të cilëve e sollën ne Kuvendin e Kosovës”, tha Zeneli.

Sekretari i përgjithshëm i LDD-se theksoi se propozimi dhe ideja e zotit Ramosaj mbi bashkimin e LDD-së dhe LDK-së asnjëherë nuk ka hasur në përkrahjen e asnjë anëtari të vetëm në strukturat e LDD-së dhe shtoi se edhe në të ardhmen kjo parti do të jetë në tërësi transparente para anëtarësisë së vet.

Kryesia e LDD-se ka vlerësuar të suksesshme fazën e parë të promovimeve të kandidatëve për kryetar të komunave të Prizrenit, Gjilanit, Vitisë dhe Pejës, ku edhe një here konfirmoi qëndrueshmërinë e vizionit të saj politik të bazuar në vlerat humane, politike dhe profesionale. (express/albeu)
Shtuar më 27/07/2009, ora 23:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori