Lazarati, qiratë sa tek Blloku: 1000 euro metri
Lazarati dje ishte “bosh”. Dukej sikur një familje e madhe ishte shpërbërë sa hap e mbyll sytë. Nëpër rrugët e fshatit lëviznin vetëm forcat policore të RENEA-s dhe ato të FNSH-së, që në diellin që digjte vazhdonin të kontrollonin kudo; në banesa, në oborre, rrugica dhe parcela. Në dy lokalet në qendër të fshatit nuk shikon lazaratas që pinin kafenë. Burrat e djemtë e fshatit kanë marrë “arratinë”.

Shumica e shtëpive janë braktisur. Të paktët nga meshkujt që kanë ngelur, janë ata që nuk kanë probleme me drejtësinë. Dhe vetëm pak ditë më parë, ky fshat që rëndom është cilësuar si “rebel” ishte shumë i populluar. Ishte një “treg” stërmadh.

Përveçse banorëve të tij, aty për çdo ditë mbërrinin me furgonë punëtorë me mëditje nga Gjirokastra dhe rrethe të tjerë të vendit.

Ndërkohë, pjesë e këtij komuniteti ishin bërë dhe shumë persona të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Lazarati për ta ishte streha më e sigurt, por edhe një vend ku mund të pasuroheshin shpejt nëpërmjet kultivimit dhe trafikimit të hashashit. Njëkohësisht, Lazarati ishte dhe një fshat që kushtonte shumë. Madje më shumë se zonat në qendër të Tiranës.

QIRAJA E TOKAVE

Burime zyrtare nga forcat policore dhe speciale që po vazhdojnë operacionin për gjetjen dhe asgjësimin e tonelatave me hashash si dhe sekuestrimin e arsenalit luftarak bënë me dije për "Gazeta Shqiptare" se toka dhe banesat në këtë fshat jepeshin shumë shtrenjtë nga pronarët e tyre. Sipas këtyre burimeve, 1 metër katror në Lazarat kushtonte sa tek Blloku në Tiranë.

Mësohet se banorët e këtij fshati i jepnin disa nga parcelat e tyre me qira shumë të lartë. "Qiraja e tokës dhe e banesave në këtë fshat arrinte në 1 mijë euro. Por ishte deri pak ditëve, se tani nuk jepen më toka dhe banesa me qira", tha një drejtues i një njësie operacionale. /albeu.com/

Shtuar më 22/06/2014, ora 11:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori