Larje hesapesh, atentat me armë ndaj dy shqiptarëve në Itali
Një atentat ka ndodhur mbrëmë në Itali ndaj dy shqiptarëve në komunën San Miniato në provincën e Pisas në Itali.

Mediat italiane bëjnë me dije se nga shkëmbimi i zjarrit njëri prej shqiptarëve ka mbetur i plagosur.

Identiteti i dy shqiptarëve nuk bëhet i ditur, e ndërsa ende nuk është sqaruar motivi i këtij sulmi.

Makina në të cilën udhëtonin dy shqiptarët u bllokua nga dy makina të tjera, nga të cilat dolën disa të rinj, të cilët sulmuan duke rrahur por edhe duke shkrepur armët, ndaj të rinjve nga Shqipëria.

Policia italiane e lajmëruar nga banorët ka mbërritur në vendngjarje por nuk ka mundur të ndalojë asnjërin prej tyre. Forcat e rendit kanë mundur të sekuestrojnë automjetin e goditur nga plumbat.

Pak orë më vonë nga ngjarja, në spitalin e zonës një shtetas shqiptar i plagosur me armë zjarri ka kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve italiane, është një nga protagonistët e këtij atentati.

Policia italiane ka hapur një proces hetimor duke marrë në pyetje shqiptarin e plagosur.

Hetuesit po marrin dëshmitë e njerëzve të cilët kanë qenë aty në momentin e sulmit për të rindërtuar ngjarjen dhe për të gjetur agresorët. Sipas dëshmitarëve kjo ngjarje mund të jetë një larje hesapesh mes bandash. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2017, ora 08:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori