Masakra me 1 viktimë dhe 5 të plagosur në “Don Bosko”, rindërtohet skena e krimit, autorët erdhën nga Kashari dhe derdhën breshërinë e plumbave në lokal

Një grua u vra dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarr në lokalin e Fatjon Muratit në Don Bosko, më 12 mars.

Në Shënjestër ka rindërtuar skemën e kësaj ngjarjeje kriminale,  ndërsa sjell edhe për herë të parë edhe dëshmitë.

Mekanizimi i masakrës

Ata erdhën, goditën dhe si zakonisht, u larguan po aq qetësisht.

Këtë herë duke lënë të vrarë një grua, mbesën e saj të lënduar por edhe të tjerë të plagosur që nuk i lidh asgjë me hasmëritë e tyre të krimit.

Si rrallë herë më parë në histori të tilla të përgjakshme të përplasjeve midis bandave kriminale

Ata goditën pikërisht atëherë kur dukej se Tirana do të kalonte një tjetër mbrëmje të qetë dhe e diela e 12 marsit do të mbyllej pa ndonjë zhvillim interesant për sa i përket ngjarjeve të aktualitetit.

Në një ngjarje kriminale që shpërfytyroi frikshëm mbrëmjen e një kryeqyteti, ashtu si edhe egërsia e plumbave të derdhur  mbi fasadën e xhamit të lokalit në pronësi të Fatjon Muratit në zonën ‘Don Bosko’ në kryeqytet.

Ku toga e atentatorëve nuk pyeti për askënd që ndodhej në këtë orë në lokal.

As për një vajzë 10 vjeçare, e cila priti që gjyshja e saj të linte turnin e punës si banakiere dhe të ktheheshin së bashku si çdo natë në banesën ku jetonin me qira, pas një tjetër dite ku kishin fituar bukën e përditshme.

Gjyshja e saj e cila ishte viktima më e pafajshme e kësaj historie, që shpejt mori emrin Masakra e ‘Don Boskos’.

Jo thjesht për vendin ku ndodhi, por për numrin e lartë të të plagosurve, plot 5 të tillë, që lanë të shembur në tokë, bataretë e plumbave të qëlluara nga jashtë lokalit.

Por si ndodhi Masakra e ‘Don Boskos’ e 12 marsit në kryeqytet?

Cili ishte itinerari që ndoqën vrasësit për të mbërritur në lokalin e familjes së kundërshtarit të tyre dhe rruga që morën për t’u larguar nga aty?

Cila ishte përplasja që ata, apo porositësit e kësaj masakre, kishin me Fatjon Muratin, një eksponent ky i rrezikshëm i krimit?

Që kish mundur t’i shpëtonte ashtu si edhe të tjerë të ngjashëm të tij në botën e krimit, drejtësisë, duke xhongluar me ligjin dhe gjykatësit që kishin në dorë burgimin apo lirimin e tij? Sipas dinamikës së ndërtuar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, dhe krehjes që grupi hetues u bëri kamerave të sigurisë, atentatorët thuhet se morën fillimisht rrugën për në Tiranë nga Kashari drejt Kthesës së Kamzës.

Më pas siç vihet re edhe nga kamerat e sigurisë, makina e tyre u pa të kalojë nëpërmjet rreth-rrotullimit të Shqiponjës, për të hyrë në lagjen Laprakë. Vetëm disa minuta pasi kryen këtë itinerar, makina me tre persona në bord, shihet teksa kalon në rrugicën pranë Xhamisë dhe prej andej në rrugën ‘Anastas Shundi’.

Aty ku janë ndalur në cep të lokalit në pronësi vëllezërve Murati. Objektivi, ku edhe qëlluan me të gjithë forcën e tyre.

Por ajo që tregon më qartë  momentin kur qitësit nxjerrin armët dhe shkrehin të gjithë brutalitetin e tyre ndaj lokalit dhe personave që ndodheshin në atë moment brenda tij, janë pamjet e një prej kamerave të sigurisë në zonë. Të cilat edhe pse larg tregojnë në një farë mënyre të gjithë dinamikën e sulmit ndaj lokalit në pronësi të Fation Muratit dhe familjes së tij.

Dy persona që qëllojnë 

Sipas mekanizmit të ndërtuar të ngjarjes, personat që qëllojnë janë dy. Të cilët pavarësisht se kanë fushëpamje të lirë, për të parë se kush ndodhet në lokal në atë moment dhe se midis tyre ndodhet edhe një vajzë vetëm 10 vjeçare, ata nuk kanë ngurruar të qëllojnë.

Duke lënë të vrarë Mimoza Pajën, e cila mbeti e vdekur në cep të banakut, gruan e cila kishte vetëm pak kohë që kishte nisur punë në këtë lokal. Por kjo nuk i pengoi vrasësit të qëllonin, dhe më ashpërsinë e tyre të veprimit t’i tregonin familjes Murati se ata ishin aty për t’i ndëshkuar me çdo mënyrë.

Një mesazh i qartë edhe nga forca me të cilën u qëllua. Mesazh që u deshifrua si i tillë nga hetuesit edhe për shkak të numrit të lartë të të plagosurve në vendngjarje.

Dosja hetimore 

“Lidhur mbi ngjarjen e ndodhur më datë 12 Mars, rreth orës 21.05 në rrugën ‘Anastas Shundi’, në lokalin në pronësi të shtetasit Fation Murati. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga jashtë lokalit kanë humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, e cila ishte banakiere në lokal. Po kështu janë plagosur shtetasit Shehat Murati, Astrit Meraj, Genci Shaholli, Ermir Dajcuk, Emanuel Çala, si dhe është dëmtuar lehtë një e mitur e moshës 10 vjeç. Sipas dëshmitarëve, për t’u siguruar që askush nuk po i ndiqte autorët, qëlluan edhe në ikje e sipër. Pasi kryen atentatin, automjeti me ekzekutorët në bord mori rrugën e kthimit nga Spitali i Traumës për të dalë më pas në autostradën Tiranë-Durrës për të marrë më pas drejtimin në të djathtë të mbikalimit të Vorës. Por ndërsa policia nuk mundi të pikaste lëvizjen e autorëve pas krimit, makina e tyre u gjet e djegur vetëm të nesërmen e ngjarjes. Edhe këtë herë, ashtu si në raste të ngjashme, jo shumë larg vendngjarjes. Në fshatin Likmetaj të Durrësit. Vetëm 3 km larg fshatit Bubq në Fushë-Krujë. Makinë e cila rezultoi e vjedhur në qytetin e Durrësit, në mars të vitit 2021. Por që nga ajo kohë pavarësisht se ishte raportuar si e tillë, policia nuk kishte mundur të binte në gjurmët e automjetit të vjedhur”, thuhet në dosjen hetimore.

Automjete, që siç ndodh rëndom tashmë në të tilla raste, kthehen si fantazma në skenat e krimit, duke goditur ashtu si në rastin e fundit të masakrës së Don Boskos.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë të disa subjekteve private rezulton se në orën 20:53, në një nga rrugicat afër vendit të ngjarjes shikohet në lëvizje një automjet i markës BMW, me targa të huaja REHX112, me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët para dhe pas ngjarjes. Më datë 13 Mars 2023, ky automjet është gjetur i djegur plotësisht në fshatit Likmetaj, dhe gjatë këqyrjes së këtij automjeti u gjetën dhe u sekuestruan tre armë zjarri automatike, të djegura pjesërisht. Po për të kuptuar egërsinë me të cilën u qëllua ndaj lokalit të Fation Muratit dhe familjes së tij, mjafton të konstatojmë edhe gëzhojat që grupi hetues mblodhi në vendngjarje. Si edhe faktin që këto gëzhoja u gjetën të shpërndara në mënyrë të ç’rregullt, çka tregon se qitësit kanë goditur duke e sharruar me plumba fasadën e lokalit. Duke mos pasur qëllim të godasin individualisht.

“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetues ka gjetur ndër të tjera në cilësinë e provës materiale 16 gëzhoja model 54, kalibër 7.62 mm, të shpërndara në mënyrë të çrregullt në pjesën e jashtme të lokalit, pranë fasadës hyrëse të tij. Më datë 13 Mars 2023 është bërë rikqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Lidhur mbi ngjarjen personi i parë që u pyet nga grupi hetues, ishte Ervis Murati, vëllai i Fatjon Muratit, që kishte vetëm dy ditë që kishte mbërritur në Shqipëri. Ai ndodhej ne lokal natën e krimit, por për fat mundi të shpëtonte pa u lënduar. E siç pritej nuk i dha asnjë ndihmë hetuesve…”, thuhet gjithashtu në dosjen hetimore.

Çfarë deklaroi vëllai i Fation Muratit 

“Natën e ngjarjes në lokal kam qenë unë, xhaxhai im Shehat Murati, djali i hallës Emanuel Çala, si edhe një shok i imi i cili quhet Astrit Memaj, si dhe dy persona të tjerë banorë të lagjes, emrat e të cilëve nuk i mbaj mend. Po kështu në lokal ka qenë edhe mbesa e vogël e banakieres, Mimozës, që e kishte vajzën e vajzës.” ka thënë Ervis Murati.

Sipas vëllait të Fation Muratit, ai ishte duke parë ndeshjen kur ndjeu plumbat të vërshonin drejt tyre. Siç shikohet edhe nga dëshmia e tij, lokali përdorej kryesisht nga familja. Kjo duket se ishte ora kur familja Murati mblidhej në këtë lokal.

Ç’ka duket se vrasësit të kenë pasur një informacion të sigurt për praninë e tyre. Ky mund të ketë qenë edhe mendimi i tyre, për ti gjetur të gjithë bashkë dhe eliminuar njëherësh.

“Unë po qëndroja në këmbë duke parë ndeshjen pranë banakut. Xhaxhai im Shehati, ishte ulur në tavolinë në mes të lokalit me nipin e tij Manushin, përballë me televizorin. Ndërsa të tjerët ishin ulur në një tavolinë tjetër. Sapo filloi ndeshja dëgjova të shtëna të shumta zjarri, ku kërcitën xhamat dhe orenditë e tjera të lokalit, dhe predhat bënë flakë nëpër mure.”, tha Ervis Murati.

Nga dëshmia që Ervis Murati dha në polici, duket se tmerri që të pranishmit në lokal kanë përjetuar, të ketë qenë i pafundëm.

Pasi krismat kanë qenë aq të gjata, sa kanë qenë e vështirë për të kuptuar në ato moment se çfarë po ndodhte në të vërtetë.

“Në atë moment u dëgjuan shumë të shtëna. Aq sa në momentet e para nuk kam kuptuar se çfarë po ndodhte ndërsa më pas jam shtrirë përtokë dhe nuk kam parë asgjë se çfarë ka ndodhur. Në atë situatë, vëllai i objektivit të atentatit, thotë se e kishte të pamundur të shikonte se nga erdhën dhe ikën autorët. Ai thotë se në atë moment, ka mundur të shquajë pa jetë banakieren e lokalit. Të identifikuar si 58 vjeçarja, Mimoza Paja. E kam pasur të pamundur të shikoj se në çfarë drejtimi kanë ardhur autorët, si edhe nga janë larguar. Kur u ngrita në këmbë, pashë që Mimoza, ishte rrëzuar në tokë dhe aty kuptova që ajo kishte ndërruar jetë. Të tjerët  pashë që kishin marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Ervis Murati.

Të parët që thuhet se u erdhën në ndihmë të plagosurve në këtë atentat, ishin banorë të pallatit ku ndodhej lokali.

Ata të cilët mundësuan dërgimin e tyre në Spitalin e Traumës.

Çfarë deklaroi xhaxhai i Fation Muratit 

Sipas grupit hetues midis personave të pyetur që mund të kishin dijeni për ngjarjen, ishte edhe Shehat Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit.

“Gjatë ngjarjes unë kam qenë i ulur në lokal për të pirë kafe dhe për të parë ndeshjen. Në këtë moment unë dëgjova krisma dhe më pas ndjeva një goditje të lehtë në kokë dhe pashë që më rridhte gjak nga aty dhe në shpatull. Pasi mbaruan krismat një person i pa njohur më mori dhe më çoi në spitalin e Traumës në Tiranë. Në lidhje me personat që qëlluan unë nuk munda ti shikoj dhe deklaroj se nuk kam konflikte me ndonjë person.”, ka thënë Shehat Murati.

Por ndërsa familja Murati tha në deklarimet e saj, se nuk kishte konflikte me persona të jashtëm, grupi hetues ka dyshimet e veta se ngjarja lidhet me përplasjet që Fatjon Murati ka me grupe kriminale që qarkullojnë në veriun e Shqipërisë.

Si edhe me ngjarje të rënda të ndodhura në kryeqytet dhe fare pranë tij. Duke iu referuar kështu edhe masakrës së Fushë-Krujës, ku më 17 korrik 2022, humbën jetën në atentat, Brilant Martinaj, dhe dy shoqëruesit e tij në makinë, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Ngjarja ende pa autor, por ku grupi hetues dyshon se Fatjon Murati është një nga personat e përfshirë.

Po sipas dosjes hetimore bëhet me dije se nga tërësia e veprimeve hetimore dhe të dhënat e siguruara në rrugë operative, rezulton se objekt i sulmit me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të vëllezërve Fatjon, Ylli dhe Ervis Murati, me motiv hakmarrje, në vazhdën e ngjarjeve të tjera kriminale, ku ka pasur të dëmtuar dhe viktima, në qytetet Tiranë, Lezhë, Laç etj.

Arratia e Fation Muratit 

Por ndërsa në lokalin në pronësi të tij në Don Bosko, ndodhi një masakër, Fatjon Murati, pavarësisht se duhet të respektonte arrestin shtëpiak dhe po përballej me drejtësinë duket se ia kishte mbathur disa para masakrës nga Shqipëria.

Madje më herët ai kishte zgjedhur të sfidonte autoritetet ligjzbatuese, duke kaluar pikërisht nën hundën e tyre, duke thyer edhe masën e arrestit shtëpiak. Gjë që e vërteton edhe sistemi TIMS.

Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi Fatjon Murati, i cili hetohet me masë sigurimi arrest në shtëpi, për një tjetër vepër penale, nga verifikimet në sistemin TIMS, del se ai është regjistruar me dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 19 Janar 2023, duke thyer në këtë mënyrë masën e arrestit. Pra Fatjon Murati sipas autoriteteve policore është larguar nga Shqipëria, afro dy muaj më parë.

Dhe policia nuk kishte asnjë informacion që ai kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Ose të paktën e ka fshehur këtë fakt.

Ndërsa me 7 Mars oficerët e policisë shkuan në vilën e tii luksoze që ndodhet vetëm 30 metra larg lokalit të masakrës duke i marrë firmën, por sesi ai hyri në Shqipëri askush nuk e thotë.

Hetimi duhet ta sqarojë sesi në janar Murati doli nga territori në rrugë të ligjshme ndërkohë që çdo punonjës policie do të duhej ta arrestonte. Ndërkohë që për t’u kthyer te masakra e Don Boskos dhe shkaqet që çuan, ajo që të gjithë tani besojnë është te kundërveprimi i ashpër i grupit të Ervis Martinaj. Mbretit të zhdukur të bixhozit, që nga muaji gusht I vitit 2022. Por që pavarësisht fantazmës së tij, mbetjet e grupi të tij treguan se ata janë aty, për të goditur sërish./BW/


Shtuar 15.03.2023 20:13