Lame: 14 mijë objekte penalizohen nga procesi i legalizimit
Pëlqej
Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, bëri me dije se rreth 14 mijë objekte në vend rrezikojnë të penalizohen nga procesi i legalizimit, për shkak të planit rregullues.

Lame theksoi nevojën e rishikimit të planit rregullues të Tiranës, Bashkisë Kamëz dhe Komunës Paskuqan, ku regjistrohet edhe numri më i madh i banesave informale.

Ai shtoi se përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, do t’i kërkohet rishikimi i këtyre planeve rregulluese, sa i takon planifikimit të lartësisë në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës.

“Situata më problematike paraqitet në Kamëz dhe Paskuqan. Janë rreth 14 mijë objekte, mund të penalizohen. Vetëm në Kamëz janë 4 mijë aplikues që rrezikojnë të përjashtohen nga legalizimi.

Bulevardi “Berisha” në Kamëz ka shumë objekte të bllokuara. I kemi kërkuar bashkisë së Tiranës të bashkëpunojë për planin rregullues, dhe kemi kërkuar informacion nga ky institucion.

Nuk duam që reforma jonë e legalizimeve të mbetet në duart e papërgjegjshmërisë politike. Për këtë do t’i dërgojmë një letër kryeministrit Rama, ku do të kërkojmë të rishikohet plani rregullues i Tiranës, plani i përgjithshëm rregullues i bashkisë Kamëz, dhe i komunës Paskuqan. Po kështu kërkojmë të bëhet një analizë reale në terren e ndërtimeve. Kjo kërkesë ka për qëllim rishikimin e planifikimit të lartësisë së ndërtimeve në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës”, tha Lame. /albeu.com/


Shtuar më 16/09/2014, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori