Lama: Pala kosovare do të mund të jetë e detyruar ta shpallë pavarësinë
Albeu.com
Zëdhënësja Ulpiana Lama e ka cituar kryeministrin Çeku të ketë thënë se pala kosovare mund te jetë e detyruar që të bëjë shpalljen e pavarësisë. Në mbledhjen e sotme qeveria ka diskutuar edhe për një varg çështjesh të tjera.Qeveria e Kosovës, konsideron se ka ende hapësirë diplomatike që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet brenda afateve të arsyeshme. Megjithëkëtë zëdhënësja Ulpiana Lama e ka cituar kryeministrin Çeku të ketë thënë se pala kosovare mund te jetë e detyruar që të bëjë shpalljen e pavarësisë. Në mbledhjen e sotme qeveria ka diskutuar edhe për një varg çështjesh të tjera.
Shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës ka frustruar qytetarët por qeveria, konsideron se ka ende hapësirë diplomatike, që statusi të zgjidhet brenda afateve të arsyeshme. Zëdhënësja, Ulpiana Lama, e ka cituar kryeministrin Çeku të ketë thënë se Kosova dëshiron të jetë anëtare e përgjegjshme e Kombeve të Bashkuara dhe për këtë dëshiron marrjen e shpejtë të vendimit për pavarësinë e Kosovës.

”Kryeministri e ka thënë se nuk dëshirojmë të negociojmë për çështjet për të cilat nuk kemi mandat dhe nuk dëshirojmë të kemi mandat, sepse vendimi për pavarësinë e Kosovës është marrë nga qytetarët e Kosovës, ndërsa këto institucione përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Në një mënyrë, ose tjetër, kjo çështje duhet të zgjidhet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka parafrazuar zëdhënësja Lama kryeministrin Çeku.

Duke folur për raportin e fundit të prokurorit ndërkombëtarë lidhur me ngjarjet e 10 shkurtit, në të cilin është thënë se nuk ka fakte të mjaftueshme për ndjekjen penale të policëve rumunë, zëdhënësja Lama tha se kjo është një çështje që i tejkalon përgjegjësitë e qeverisë. Megjithëkëtë, ajo paralajmëroi se qeveria nuk do të rrijë duarkryq lidhur me këtë rast.

”Jemi duke e shqyrtuar dhe jemi në bashkëpunim për të parë se cilat janë hapat e mëtejshëm dhe angazhimet reale të qeverisë sonë“, ka thënë Lama.

Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur të formojë një grup punues i cili do të merret me shqyrtimin dhe përshtatjen e politikave fiskale.

Po ashtu qeveria i ka dhënë mbështetje të plotë Bordit të KEK-ut, me qëllim të stabilizimit dhe rritjes së efikasitetit të kësaj kompanie.
Shtuar më 05/07/2007, ora 09:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori