“Lajthit” eurodeputetja greke e Qipros, ja çfarë thotë kur vjen në Tiranë
Eurodeputetja greke e Qipros, Eleni Theocharous dje deklaroi nga Tirana se, “gjendem mes greqizmit të Vorioepirit, i cili prek këto toka të shenjta të një vendi grek të lashtë, që ka ngelur jashtë kufijve të shtetit grek”.

Eurodeputetja mori pjesë dje në takimin “Jo grabitjes së pronave, pro zhvillimit dhe integrimit në BE”, organizuar nga PBDNJ, Organizata Omonia, Aleanca për Mbrojtjen e Pronës së Bregdetit, Bashkimi himarjot i Amerikës dhe Bashkimi himarjot i Athinës. Ajo tha në fjalën e saj se sjell mesazhin e shpresës, luftës dhe fitores. Eleni Theocharous, i ka zhvendosur kërcënimet greke nga Parlamenti Evropian drejt Tiranës.

Ajo ka vlerësuar se ka ardhur momenti për rezistencën e fundit që grekët mund të bëjnë, duke sjellë në vëmendje tragjedinë e helenizmit qipriot. “Që atëherë kur kemi formuar frontin për Epirin kanë kaluar gjithë këto vjet dhe asgjë.

Ne ndiejmë detyrim të mbrojmë të gjitha të drejtat e Vorioepirit. Greqizimi i Voriepirit do ishte ‘OK’, nëse qeveritë do i jepnin rëndësinë e duhur dhe duhet të ndodhë pa pretendime për territoret greke që ndodhen këtu. Pa rezistencën dhe irredentizmin e myslimanëve”, citon Ora News.

Duke rikujtuar raportin e Fleckenstein për integrimin e Shqipërisë, për të cilin u fol të martën e kaluar në PE, eurodeputetja theksoi: “Greqia e nxituar ka miratuar që Shqipëria të vazhdojë me integrimin, sepse ky vend kalon në nivel shumë të lartë të krimit dhe korrupsionit, ushtron presion me minoritetet dhe është një vegël e Turqisë, duke lejuar shkollat e myslimanëve”.

Eurodeputetja greke, Eleni Theocharous tha se Shqipëria duhet të lejojë të drejtën e shprehjes, të drejtën e qarkullimit të librave. Ndërsa shtoi se Greqia e ka ndihmuar Shqipërinë, ndaj asnjë shqetësim nga shqiptarët nuk është i justifikuar.

Deklaratat e forta të eurodeputetes u bënë gjatë aktivitetit, ku pjesë ishte edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai ka deklaruar se nuk mund të shkëputen pronat e Himarës tani, për aq kohë sa nuk i janë shkëputur në shekuj. Dule akuzoi kryeministrin Rama se po ndjek politika selektive në Himarë duke favorizuar interesat klienteliste.

“Nuk mund t’i shkëputej prona Himarës, se nuk ka ndodhur në shekuj dhe nuk mund të ndodhë tani”, tha Dule. “Janë 19 objekte në qendër të Himarës, pronarët e të cilëve kanë marrë njoftim se do t’i shkatërrohen pronat. Pikë së pari, janë himarjotët.

Është Himara ajo që kërkon zhvillim. Janë investuar kursimet, kanë zhvilluar pronën. Gjendemi përballë spekulimeve të Ramës, i cili thotë se po shemben mbi 9000 objekte në gjithë republikën. Politikat në Himarë janë selektive dhe u shërbejnë interesave klienteliste”, u shpreh Dule./Albeu.com/
Shtuar më 03/12/2016, ora 08:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori