Një polic i plagosur në veri të Kosovës, tri makina të policisë të sulmuara gjatë ditës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar policor ka pësuar lëndime dhe tri vetura janë sulmuar në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan gjatë ditës së 31 majit.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, protestat filluan të tensionohen në orët e pasdites, kur “disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat”.

“Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policor ka pësuar lëndime”, thuhet në këtë deklaratë.

Policia ka përmendur se gjatë ditës disa “grupe kriminale” i kanë penguar disa gazetarë në kryerjen e detyrave të tyre, dhe automjetet e tyre janë vandalizuar. Ajo u ka bërë thirrje protestuesve që të përmbahen nga dhuna.

Më herët, Policia e kishte konfirmuar përmes një përgjigjeje për REL-in se një veture e Policisë së Kosovës ishte sulmuar në Zveçan.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. /REL


Shtuar 31.05.2023 20:31