I strehuar në lagjen “5 Maji” në Elbasan dhe nën përgjim prej dy javësh, “Bossi” turk i kriptove po shijonte pushimet në Palasë

Faruk Fatih Ozer, super mashtruesi turk, i cili kishte përvetësuar miliona euro duke genyer qytetarët turk, prej kohësh ishte në kërkim në të gjithë botën.

Ozer bashkë me dy shqiptarë u arrestuan paraditen e sotme nga policia shqiptare teksa ishin duke shijuar pushimet në Palasë.

Ata kishin vendosur që pushimet t’i bënin në fundin e muajit gusht, por prej dy javësh ishin vënë nën përgjim.

Turku prej muajsh jetonte në një banesë me qira në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Pas arrestimit, ai do të ekstradohet drejt Turqisë ku është dënuar me 40 mijë vite burg.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet për kapjen e personave shumë të kërkuar ndërkombëtarisht.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Brain”.

Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Kapet në Himarë, i shumëkërkuari, 28-vjeçari nga Turqia, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pas shumë kërkimesh në disa qarqe të vendit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia turke, si dhe falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Brain”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit turk F. O., 28 vjeç.

Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./albeu.com