Lajm i keq edhe per Maqedonine, vizat vazhdojne
Pëlqej
Albeu.com
Bashkimi Evropian vlerëson Maqedoninë me "notën më të mirë" në rajon, në zbatimin deri më sot të detyrave për liberalizimin e regjimit të vizave por nuk parashikohet heqja e vizave ne vitin e ardhshem.Presidenca franceze e Bashkimit Evropian ka punuar për të vonuar procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit. Burime konfidenciale nga vendet anëtare të BE-së kanë thënë për Alsat se dialogu aktual është vonuar me katër muaj ndërsa pritet të vonohet edhe më shumë me qëllimin për ta shtyrë këtë proces për vitin 2010.

Megjithëse Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave presidenca franceze ka bërë çmos për të shtyrë procesin për vitin 2010.

Bashkimi Evropian vlerëson Maqedoninë me "notën më të mirë" në rajon, në zbatimin deri më sot të detyrave për liberalizimin e regjimit të vizave. Në projekt-raportin i cili pritet të publikohet javën që vjen, vendi lë pas me një largësi të pakrahasueshme Serbinë, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi duke plotësuar pjesën më të madhe të 40 masave të paracaktuara.

"Maqedonia ka bërë progres shumë të mirë në dokumentet e udhëtimit dhe është dëshmuar vullneti politik për të plotësuar të gjitha standardet", vlerëson dokumenti.

Kontroll më i kujdesshëm kërkohet vetëm për sigurinë e dokumenteve të llojeve të tjera dhe për hapat administrativë për lëshimin e tyre. Vendosja e marrëdhënieve me Interpolin vlerësohet e suksesshme ndërsa programet e trajnimit anti-korrupsion po zbatohen që prej vitit 2006.

Menaxhimit i kufijve, azilit dhe emigracionit vlerësohet progres i mirë dhe kërkohet vetëm përpjekje për ta vazhduar progresin, monitorimin e zbatimit të tij në këto fusha dhe përfshirjen e të gjitha pikave kufitare në sistemin e centralizuar të informimit që për momentin funksionon për pesë pikat më të frenkuenturara kufitare në vend.

Sa i takon rendit publik dhe sigurisë, raporti vlerëson se në vite janë bërë përpjekje të rëndësishme dhe se Maqedonia gëzon një kuadër ligjor të zgjeruar kundër krimit të organizuar veçanërisht në kufij.

Maqedonia shënon disa probleme vetëm në bllokun e katërt, për marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themeltare, ku i kërkohet të përmirësojë pajisjen me dokumente për romët dhe për shqiptarët. Grupet e ekspertëve të BE-së pritet të monitorojnë të gjitha fushat gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm.
Shtuar më 23/11/2008, ora 04:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori