Lajcak ka nje plan per Kosoven
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur për mendimin që do ta japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së ...... Kosovës, ndërsa ka shtuar se, mu shpallja e këtij mendimi është rast i mirë që BE-ja të veprojë për ta stabilizuar rajonin.
“BE-ja është lojtar i rëndësishëm global, mirëpo kredibilitetin e saj potencial duhet ta dëshmojmë, para se gjithash, në oborrin tonë të brendshëm, dhe ky është pikërisht Ballkani Perëndimor. Marrë parasysh se në periudhën vijuese presim mendimin e GJND-së lidhur me pavarësinë e Kosovës, është e qartë se BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë vendim, dhe jo të ndodhë që ajo të na gjejë të papërgatitur”, ka thënë Lajcak për gazetën “Dnevnik”.

Sipas kësaj gazete, Lajcak ka një plan të hartuar se si të zgjidhet problemi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës pas publikimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin pritet ta prezantojë në mbledhjen e Këshillit të ministrave të BE-së, më 10 maj, në Bruskel.

“Mund të them se kemi nevojë për një dinamikë rajonale dhe komunikimin për çështjet praktike që do të mundësonin që i gjithë Ballkani Perëndimor të përparojë”, ka thënë Lajcak, duke mos dashur të zbulojë detaje nga plani i tij.

Siç bëhet e ditur më tej, plani i Lajcakut synon që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë të vihen në një kornizë me të zgjeruar të zgjidhjes së kontesteve në Ballkanin Perëndimor – që do të mundësonte që në të njëjtën tavolinë të uleshin të gjithë se bashku, edhe shtetet e rajonit edhe BE-ja.

“Është gjë e parealizueshme që problemet dhe bllokimet e ndërsjella në rajon të ekzistojnë, ndërsa shtetet të përparojnë drejt BE-së. Kjo është në kundërshtim me logjikën dhe frymën e BE-së dhe Unioni nuk është i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj me këtë logjikë”, ka thënë Lajcak, duke shtuar se mu ambiciet evropiane të Beogradit dhe të Prishtinës, janë rrugë drejt zgjidhjes.

Duke folur për samitin e paralajmëruar të Sarajevës, mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Lajcak ka thënë se ky samit do të jetë i pasuksesshëm nëse mungon cilido prej akterëve. “Vetëm nëse jemi të gjithë rreth një tavoline në Sarajevë, do ta kishim legjitimitetin e domosdoshëm për të treguar se BE-ja kujdeset për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Lajcak. /Telegrafi/
Shtuar më 02/05/2010, ora 04:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori