Laboratori i kokainës, ja si nisën hetimet
Operacioni për shkatërimin e laboratorit të drogës në Xibrakë të Elbasanit ka nisur pasi janë marrë nën hetim dy persona, njëri prej të cilëve shqiptar. Prokuroria e Hanoverit zbulon se sinjalizimi për laboratorin dhe trafikun e kokainës në Shqipëri, ishte dhënë që në mars të vitit 2014, kohë edhe kur kishin nisur hetimet.

Sipas Prokurorisë së Hanoverit, në atë kohë ishte dyshuar për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike, i cili dyshohej se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë.

Siç theksohet në komunikatën e Prokurorisë së Hanoverit, hetimet fillimisht nisën ndaj një 46-vjeçari shqiptar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, duke i'u referuar Ilir Hysenit, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenwerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij, që ka të bëjë me bashkëjetuesen e tij, Pranvera Ebeling.

Dyshimet e autoriteteve gjermane u shtuan edhe më tepër në vjeshtën e vitit 2014, dhe pas zbulimit se baza e rrjetit të trafikut ishte në Shqipëri, i'u dërgua shkresë zyrtare autoriteteve shqiptare, duke i kërkuar mbështetje dhe informacione të mëtejshme.

“Fillimisht hetimet nisën në ngarkim të një shtetasi shqiptar 46-vjeçar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenwerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij.

Pasi në vjeshtën e vitit 2014 u shtuan dyshimet që baza e kokainës ndodhej në Shqipëri, autoriteteve të atjeshme i'u dërgua një kërkesë për mbështetje, duke u përcjellë edhe informacionet e nevojshme. Hetimet në Shqipëri çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të veçuara dhe të ruajtura me masa shumë të larta sigurie në afërsi të qytetit të Elbasanit.

Në datën 14.01.2015, njësitë speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar kryen kontrolle ndër të tjera edhe në këtë objekt. Gjatë kontrolleve të kryera u arrit të sekuestroheshin në një automjet rreth 20 kg kokainë e pastër. Më tej, autoritetet shqiptare sekuestruan edhe disa armë, midis të cilave një armë automatike, para, në monedha të ndryshme me një vlerë totale prej mbi 400.000 eurosh si edhe disa automjete dhe sasi të mëdha kimikatesh”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Prokurorisë së Hanoverit.

Droga sipas autoriteteve gjermane dyshohet se vinte nga Amerika Latine, e përzier me substanca të parrezikshme dhe me ardhjen e lëndës narkotike në Shqipëri, përpunohej për t’u trafikuar pastaj drejt Europës.

“Nga hetimet paraprake, dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri. Dyshohet që laboratori i kokainës ka funksionuar prej disa muajsh.

Ende vazhdojnë hetimet për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator. Në Shqipëri u arrestuan 11 shtetas. Ndër të arrestuarit janë edhe dy kolumbianë si edhe 46-vjeçari nga Hamelni. Përveç tyre, u arrestua edhe njëri nga nipërit e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha.

Me sa është bërë e ditur, pjesa më e madhe e të akuzuarve në Shqipëri ka marrë masën e sigurisë "arrest me burg". Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i Prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Federale Kriminale, si edhe ekspertë të Zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen. Të mërkurën në Hameln dhe Bodenverder u kontrolluan banesat e 46-vjeçarit dhe 47-vjeçares së dyshuar si bashkëpunëtoret e tij”, citon organi i akuzës së Hanoverit. /albeu.com/


Shtuar më 27/01/2015, ora 15:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori