La Stampa për Lazaratin: Qeveria shqiptare mbyll kryeqytetin e kanabisit
Pëlqej
Dy muaj më parë, Shqipëria ishte një vend që prodhonte pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm kombëtar. Lazarati, 240 kilometra në jug të Tiranës, ndodhet pranë kufirit me Greqinë. Një prodhim unik, por në sasi të mëdha dhe i paligjshëm, 900 ton kanabis në vit, me një vlerë prej 4,5 miliardë euro. Të dhënat janë marrë nga “Guardia di Finanza”, pasi ndoshta do të nënvlerësoheshin.

Kështu e nis shkrimin për operacionin e pak muajve më parë në Lazarat për La Stampa-n, Niccolò Zancan. Sipas tij Lazarati ishte kryeqyteti i marijuanës, një qytezë e vogël me 2 500 banorë, me bindje të djathta politike të forta, një bastion i vogël i ish-kryeministrit Sali Berisha.


Nuk i përkushtohen asgjëje tjetër, baballarët, mamatë dhe fëmijët, përveç mbjelljes, kultivimit dhe shitjes së pyjeve të mëdha të kanabisit dhe rinovimit të tyre çdo vit. Droga nisej nëpërmjet detit në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës. Të gjithë e dinin, por mbyllnin gojën. Pasi paratë e Lazaratit përfundonin në ndërtime, banka dhe në shumë xhepa të shqyer.

Ai që ka ngritur zërin është një gazetar që quhet Ylli Pata, i punësuar në Tiranë, i cili ka qenë një prej të parëve që ka denoncuar fenomenin. “Sapo mbërrije, vinin njerëz të maskuar. Kishte pika kontrolli përgjatë gjithë rrugës. Nëse ju thoje se ishe një gazetar, të dërgonin në drejtim të kundërt, dhe kuptohej menjëherë se nuk mund të insistoje. Lazaratit mund t’i afroheshe rastësisht. Unë përfundova në Lazarat pasi isha në udhëtim me disa miq…”

Që prej vitit 1990, prodhimi ka qenë në rritje të vazhdueshme. Vite heshtje dhe përplasjet me armë në vitin 2005 kanë shkaktuar plagosjen e shefit të policisë dhe të shtëna kundër një helikopteri të Guardia di Finanza që filmonte plantacionet. Vite të aktivitetit të madh. Më në fund, 18 qershori 2014, kur Edi Rama, kryeministri i ri socialist vendosi që historia e Lazaratit duhet të ndryshojë. “Ai dërgoi 800 agjentë të forcave speciale dhe dy batalione të ushrisë”, tregon Ylli Pata.



“Ishin ditët e rrethimit, të shtëna, disa të plagosur, për mrekulli asnjë i vdekur. Shumë vendas dogjën plantacionet për të mos lënë gjurmë. Policia arrestoi 56 persona edhe pse ata nuk dinë ende se ku ndodhen drejtuesit e organizatës. Por për herë të parë në historinë e Shqipërisë ky është një veprim që është ndërmarrë seriozisht. Edhe pse, ky është thjesht një mendim i imi, t’i kundërvihesh trafikut ndërkombëtar të drogërave është e vetmja mënyrë që të merresh në konsideratë nga Evropa”. Por me të vërtetë ka përfunduar historia kriminale e Lazaratit? “Do të ishte naive ta mendoje. Tani prodhimi ka ndaluar, por magazinat e fshehta janë plotë me drogë për t’u shitur”.

Historia e Lazaratit është gjithçka përveç se ezotike dhe e largët. Ne raportin vjetor të shërbimit italian kombëtar antidrogë shkruhet: “Është zbuluar se tregu italian furnizohet kryesisht nga hashashi që vjen nga Maroku dhe marjuana që vjen nga Shqipëria”.

Në vitin 2013 në Itali u sekuestruan 25 tonë marjuanë, në pikën kulmore të fenomenit. Nga të cilat janë kapur shtatë tonë vetëm në brigjet pulieze, me prejardhje nga Durësi. Pika më e afërt është zona e Otrantos, vetëm 50 milje.

“Shumicën e rasteve nisen natën të bindur se mund t’i shpëtojnë kontrollit, kemi parë të vijë marjuan e fshehur në gomone të mëdha si dhe në varka të vogla peshkimi. Madje edhe mbi kanoe të tërhequra nga motora uji. Kemi gjetur edhe sasi të mëdha në kabinat e varkave me vela ku nuk dyshohej aspak, duke krijuar trekëndësh me Greqinë dhe Malin e Zi. Çdo ditë ndryshojnë metodat”, thotë një hetues që i është dedikuar vetëm kësaj çështje.
ee
“Prej dy vitesh Italia po bashkëpunon me qeverinë shqipëtare. ‘Guardia di Finanza’ aktualisht po zhvillon një mision të përbashkët. Avionët tanë po monitorojnë edhe sot e kësaj dite situatën nga lartë për të individualizuar, çrrënjosur dhe shkatërruar plantacionet. Vërehen sinjale të një bashkëpunimi të mire, por për momentin është ende herët të gjykohet”, thotë hetuesi.

Tashmë që rrethimi i Lazaratit përfundoi me sa duket u rikthye qetësia. Por ndoshta është vetëm fillimi i një faze të re. Edhe sepse qetësia është vetëm në dukje. Në Shqipëri vazhdojnë atentate me tritol. Askush nuk di të japë një shpjegim. Dy ditë më parë një zjarr përfshiu shtëpinë e kryeministrit Edi Rama. /albeu.com/
Shtuar më 20/08/2014, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori