Në 4 dekada në Europë, rreth 195 mijë njerëz kanë vdekur si pasojë e kushteve ekstreme të motit

Ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit dhe përmbytjet kanë vrarë rreth 195,000 njerëz dhe kanë shkaktuar pothuajse 560 miliardë euro dëme që nga viti 1980, vlerëson Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), duke bërë thirrje për veprim sot.

“Ngjarjet ekstreme të motit dhe klimës shkaktuan humbje ekonomike që vlerësohen të arrijnë në 560 miliardë euro mes viteve 1980 dhe 2021, nga të cilat vetëm 170 miliardë euro (30%) ishin të siguruara”, duke lënë pas pothuajse 195,000 të vdekur, thekson institucioni i Bashkimit Evropian.

Në shkurt 2022, raporti i paraqitur nga EEA fliste për humbje prej 510 miliardë eurosh dhe 142,000 vdekje gjatë periudhës 1980-2020. Në vitin 2021, përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë shkaktuan pothuajse 50 miliardë euro dëme.

Sa i përket viktimave, ndryshimi i metodologjisë së përdorur në Francë dhe Gjermani është shkaku i variacionit të madh, sqaron institucioni evropian.

“Për të shmangur humbjet e mëtejshme, ne duhet urgjentisht të kalojmë nga reagimi ndaj ngjarjeve ekstreme të motit në përgatitjen parandaluese”, i tha AFP ekspertja e EEA, Alexandra Kazmirczak.

Bazuar në regjistrimin e ri, valët e të nxehtit përbënin 81% të vdekjeve dhe 15% të humbjeve ekonomike.

Valët e të nxehtit të njëpasnjëshme goditën Evropën në verën e vitit 2022 – pasojat e tyre nuk janë përfshirë në regjistrimin e sotëm – duke shkaktuar një numër shumë më të lartë se mesatarja e vdekjeve në Kontinentin e Vjetër.

Një shtesë prej 53,000 vdekjesh (+16%) u regjistruan në korrik 2022 krahasuar me mesataren mujore 2016-2019 në Evropë, megjithëse jo të gjitha i atribuoheshin nxehtësisë, tha EEA.

Spanja regjistroi më shumë se 4,600 vdekje për shkak të nxehtësisë ekstreme nga qershori deri në gusht.


Shtuar 14.06.2023 09:04

Tags: ,