Ky prokuror jeton si "pasha" me televizion 20 mijë euro, shkarkohet por pasuria i mbeti
Pëlqej
Shtatë gjetje kompromentuese mbi pasurinë e deklaruar dhe të fshehur kanë ‘fundosur’ prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Trocit, duke i kushtuar humbjen e detyrës.

Troci njihej edhe si prokurori i ‘VIP-ve’, për shkak se ka arrestuar Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka krijuar bindjen se Ramadan Troci ka fshehur pasuri të paluajtshme në emër të personave të afërt. Konkretisht, KPK dyshon se Ramadan Troci ka në pronësi një apartament luksoz në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, të cilin e ka arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro,raporton shqiptarja.

“Në denoncimin e përcjellë pranë Komisioni, ndër të tjera hidhen dyshime se subjekti i rivlerësimit ka në pronësi të fshehur një apartament banimi në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, në të cilën banon aktualisht. Lidhur me këtë apartament, denoncohet se subjekti e ka arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro. Në vijim ankuesi, denoncon se për posedimin e këtij apartamenti subjekti kamuflohet nga pronarët e minierave të Bulqizës, të cilëve pretendohet se u ka mbyllur shumë dosje”, thuhet në vendim. Komisioni dyshon edhe për fshehjen e disa pasurive të tjera tek Unaza e Re, si apartamente, njësi shërbimi e garazhe.

Komisioni i Vetingu ngre gjithashtu dyshime të forta se prokurori Troci ka fshehur duke e kaluar në emër të personave të tjerë një apartamenti me sipërfaqe 140 m², në godinën pranë Pazarit të Ri, me vlerë 140 mijë euro dhe parking 20 000 mijë euro. Nga ana tjetër, Komisioni pretendon se ka faktuar se prokurori Ramadan Troci ka fshehur një ndërtim pa leje me sipërfaqe 32 m², në një truall me sipërfaqe 450 m², në Paskuqan. Në vendimin për shkarkimin e Trocit thuhet gjithashtu se prokurori nuk justifikon një depozitë me vlerë 2,500,000 lekë si dhe blerjen e një makine “Mercedes-Benz”, viti i prodhimit 1999, me vlerë 700,000 lekë. Gjithashtu, prokurori nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare si dhe nuk ka deklaruar saktë shtesat e depozitës në emër të bashkëshortes së tij.

Fshehja

Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka konstatuar se Ramadan Trocit ka fshehur një ndërtim pa leje me sipërfaqe 32 m², në një truall me sipërfaqe 450 m², në Paskuqan.

Gjetjet

Shtatë gjetje kompromentuese mbi pasurinë e deklaruar dhe të fshehur kanë ‘fundosur’ prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Trocit, duke i kushtuar humbjen e detyrës.

1) Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht pagesën e këstit të parë, për prenotimin e apartamentit deri në vitin 2011;

2) Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht pagesën e bërë për blerjen e automjetit në vitin 2008;

3) Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht krijimin e depozitës prej 2,500,000 lekë, në fund të vitit 2016;

4) Subjekti ka fshehur pasurinë, ndërtimin pa leje me sipërfaqe 32 m², në truall të zënë me sipërfaqe 450 m², në Paskuqan, Tiranë, ndërtim i cili sipas përgjigjes së ALUIZNI-t, rezulton me kërkesë vetëdeklarimi nga ana e tij më datë 07.11.2006.

5) Subjekti në vazhdimësi nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare, nuk ka deklaruar saktë shtesat e depozitës në emër të bashkëshortes së tij, si edhe ka kryer deklarime të pasakta lidhur me të ardhurat e përfituara.

6) Bazuar në indicie dhe të dhëna të rëndësishme, Komisioni, krijoi bindjen se subjekti është pronar de facto i disa pasurive të tjera, të listuara më sipër, të cilat janë regjistruar në emër të të afërmve dhe familjarëve të tij.

7) Vëllai i subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e personit tjetër të lidhur, nuk justifikon me burime të ligjshme pasuritë e tij.
Shtuar më 18/12/2018, ora 08:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori