Inceneratorët, Kryemadhi: Si do të ndihej Rama po të ishte në listë dhe emri i nënës së tij të ndjerë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ ka deklaruar se skandali i inceneratorëve ku figuronin edhe persona që kishin ndërruar jetë si përfitues të tenderave, është një skandal që në çdo vend të botës do të kishte rënë qeveria.

Sipas saj, përdorimi i identitetit të njerëzve që kanë ndërruar jetë është shumë i rëndë dhe për këtë arsye ajo tha se si do të ndihej Edi Rama dhe çfarë do të ndodhte nëse aty do të gjendej emri i nënës së vdekur të kryeministrit.

“Nëse do të funksiononte kjo reformë në drejtësi ne do të kishim përpara drejtësisë. Çfarë do të ndodhte nëse një nga pensionistët e ndodhur në azilin e pleqve do të ishte mamaja e Monikës, mamaja e ndonjë punonjësi të ambasadës amerikane në Shqipëri apo do të ishte mamaja e gruas së Edi Ramës apo nëna e Edi Ramës që ka vdekur duke i përdorur të dhënat e tyre në këto kompani. A është ky cenim i të gjithë shtetit ligjor dhe të gjithë funksionimit të ekonomisë shqiptare. Në çdo vend të botës do të kishte rënë qeveria dhe drejtësia do të kishte vepruar me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, theksoi Kryemadhi.