Avokatë, prokurorë e gjyqtarë: Rihapen dosjet e bujshme ku u ekzekutuan njerëz të drejtësisë

Rastet e atentateve ndaj personave dhe botës së drejtësisë janë bërë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

Viktor Haxhia, një nga dy vëllezërit e vrarë në Durrës ishte një avokat i licensuar më pak se dy vjet më parë. Dhe mund të quhet edhe si një pjesë e domosdoshme e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, edhe pse vrasja nuk ka asnjë lidhje me detyrën e tij.

Gjithsesi, ai është shumë më pak se të tjerë njerëz të Drejtësisë të vrarë për shkak të detyrës. Në këtë shkrim do të përmendim vetëm pak raste të atyre që janë pjesë e atentateve të bujshme.

Gjatë 20 viteve të fundit, njerëzit e drejtësisë janë përballur me sulme, akuza, që së fundmi kanë shkuar deri në kërcënime, por kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze, siç ishte ai po në Durrës ndaj prokurorit Arian Ndoj shkruan shqip.

Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve.

Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 4 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend. Një vajzë prokurori, kryetari i Dhomës së Avokatisë, një gjyqtar dhe një avokat kanë humbur jetën në sulme, për të cilat nuk është arrestuar ende askush.

Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë.

Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi” u gjet e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës. Policia tha atëherë se dyshohej që Kozeta të ishte larguar me makinë së bashku me personin që mbeti i panjohur.

Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999, vetëm dy ditë pas asaj të Kozeta Hysenit. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij.

Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthimi që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor.

Mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, u ekzekutua me plumb në kokë Ravik Gurra, avokati i Emiljano Shullazit dhe mik i familjes Çapja. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e një lokali mjaft të frekuentuar bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Edhe kjo ngjarje vijon të jetë pa autor.

Të katër këto krime të rënda janë tashmë dosjet e rikthyera për hetim nga SPAK. Prokuroria Speciale ka marrë në dorë dosjet dhe do të verifikojë në çdo detaj që mund të jetë lënë në harresë, apo me mungesë profesionalizmi. SPAK dyshon se mes dy atentateve atij të Skerdilajd Konomit dhe prokurorit Arjan Ndoj ka një lidhje, që për momentin është e vështirë të thuhet, por pas hetimeve pritet të dalë më qartë e vërteta.


Shtuar 5.05.2020 08:21