Si do e mbash? Kërkon shtëpi me qera, Eligerta tregon kalvarin e paragjykimeve ndaj karrocës

Eligerta Sadja është një 25 vjeçare nga fshati Mollas, e cila ishte e ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ku tregoi bashkëjetesën me karrocën me rrota prej 21 vitesh tashmë. E reja e diplomuar për shkenca juridike në biznes në universitetin e Elbasanit ka arritur një popullaritet falë videove që poston në TikTok ku tregon përditshmërinë e një personi me aftësi ndryshe.

Ndër videot më të klikuara të saj është përdorimi i rampave në urban, për të cilat shprehet:

“Edhe nëse është rampa në njërin trotuar, nuk është në tjetrin dhe detyrohem kthehem mbrapsht. Në shumicën e rasteve unë vazhdoj edhe eci nëpër rrugë që është rrezik i madh dhe e shoh shpesh herë që shoferët acarohen duke më parë aty por nuk kam zgjidhje tjetër. Në urban janë vendosur rampat por nuk dijnë që t’i hapin që është shumë ironike. Më thonë ‘nuk kemi bërë kurs se si t’i hapim’ dhe unë u them di ta bëj unë thjesht ti duhet t’i japësh forcë që unë s’mundem. Isha në Tiranë duke kërkuar punë, po lëvizja me urbanë dhe po i thoja zotërisë se si funksiononte ndërkohë që ai i drejtohej shoqes sime. Unë isha duke folur dhe ai kujtonte se unë nuk flisja fare. U ndjeva shumë keq sepse nuk e hapi dhe vazhdoi rrugën e tij, iku.”

Eligerta është detyruar të përjetojë shumë skenarë të tillë, por tashmë e ka pranuar veten dhe vazhdon jetën, është munduar shumë të përshtatet duke thënë se nuk është e lehtë por duhet bërë. Sakrificat për të studiuar për Eligertën janë konkluduar me vështirësi të vazhdueshme për të gjetur një vend pune, ku institucionet tregohet diplomate teksa ajo aplikon por e lënë në pritje të një përgjigje. Një histori të tillë Eligerta e ka përjetuar plot 5 herë, dhe vazhdon të kërkoj një punë ku thotë se një profesion shumë i kërkuar prej saj është në hapësirën juridike.

“Sapo më shohin qiradhënësit kështu më thonë ‘si mund ta mbash ti shtëpinë’. Unë e kam parasysh se si mund apo me kë do të jetoja. Përderisa bashkë kemi një marrëveshje, të dy kemi nevoja të përbashkëta.” – shprehu ajo teksa rrëfente përjetimet e gjetjes së një apartamenti kur nisi studimet në qytetin e Elbasan.

E emocionuar Eligerta shpreh se forca e saj janë njerëzit që e duan. Sipas saj, miqtë e të dashurit e saj janë vazhdimisht krah saj. Për më tepër ajo shtoi se jeta duhet jetuar, me çdo sfidë të saj. Ndihma shtetërore e quajtur kemp ishte një tjetër hap shumë problematik për tu arritur nga ajo. Mesazhi i saj për personat me të njëjta aftësi si ajo është të shohin jetën me pozitivitet dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.


Shtuar 29.04.2022 18:23