Koka: S'do lejojmë shkeljen e ligjit në Parlament
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të lejojë që në Parlament të shkelet ligji duke u votuar largimi i anëtarit të kësaj force politike nga KQZ-ja.

Kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka në një prononcim për Ora News para nisjes së seancës plenare.

"Nisma e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së është dhunim i ligjit. Sot ne jemi në parlament për të mos lejuar dhunimin e ligjit dhe më pas do të ketë hapa ligjore që do të ndërmerren nga LSI-ja", theksoi Koka.

I pyetur në lidhje me votën e 3 deputetëve të larguar nga PS-ja, Koka është shprehur se ata duhet t`u largohen pasioneve politike por duhet të punojnë për të mirën e vendit.

"Shpreh keqëardhjen për 3 kolegët ndoshta emocionet ndaj mosqënurit në listën e deputetëve kanë bërë që emocionet negative po rëndojnë në procesin zgjedhor. Unë uroj që ata të dalin nga pasionet e tyre politke dhe ti shërbejnë vendit", është shprehur Koka.



10:23 - Grupi i Partisë Socialiste është mbledhur para nisjes së seancës plenare për të vendosur për qëndrimin që do të mbajë në seancë, për votimin e shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho.

Të majtët janë shprehur kundër kësaj nisme të maxhorancës, ku në seancën e të enjtes u vendos që të votohet kundër. /albeu.com/



09:15 - Parlamenti pritet të votojë sot për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho. Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë një seancë e fortë për nga debatet. Deputetët socialistë do të mbledhin sot në orën 09:00 grupin parlamentar për të diskutuar sërish rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë.

Por në mbledhjen e mëparshme të grupit, ditën e enjte, kur u shty edhe votimi për këtë çështje, deputetët diskutuan për një reagim të ashpër deri në bllokim të punimeve të Kuvendit. Pati edhe mendime për bojkot, por kjo nuk u pranua nga kryetari Rama. Ndërkaq, pritet që votave të maxhorancës sot t’i bashkohen edhe votat e tre ish-deputetëve socialistë, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli e Asllan Dogjani.

Ndërkohë dje një prej ish-anëtarëve të KQZ-së dhe njëherësh një prej kandidatëve të propozuar nga Partia Republikane për të zëvendësuar Muhon, Klement Zguri ka thënë se shkarkimi i një anëtari KQZ-je është një situatë e përsëritur në Shqipëri. Sipas tij, mandati i anëtarëve të KQZ-së është ndërprerë në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Këto mandate, ka sqaruar Zguri janë ndërprerë për shkak të marrëveshjeve politike dhe jo për shkak të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, siç e pretendon opozita që i referohet nenit 18 të këtij kodi.

Në bazë të këtij neni, mandati i anëtarit të KQZ-së përfundon kur ai kryen veprimtari politike, mbush moshën për pension, vdes, jep dorëheqjen nga detyra ose kur cenon veprimtarinë e KQZ-së, parashikime këto, të cilat nuk janë ndërmarrë nga anëtari i LSI-së në këtë institucion. Po sipas Klement Zgurit, edhe në rastet e iniciativave të ndërmarra nga Kuvendi në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vjeshtën e 2012, asnjë prej këtyre pikave nuk ekzistonte në kushtet kur Kuvendi ka vendosur të ndryshojë me votë parlamentare trupën e KQZ. Gjithçka mbetet për t’u parë sot në seancë.

Një ditë më parë anëtari i KQZ, Ilirian Muho, deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen nga kjo detyrë, sikurse e kërkon maxhoranca, pasi është në ushtrim të plotë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2013, ora 10:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori