Kuvendi s'mund ta beje strategjine e veriut te obligueshme
Albeu.com
Kuvendi i Kosovës mund t’i japë mbështetje politike zbatimit të strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, por nuk mund ta obligojë zbatimin e saj, deklarojnë deputetët kosovarë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kuvendi i Kosovës nuk mund ta obligojë Qeverinë për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, pasi që zbatues të saj parashihet të jenë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, edhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë, thonë deputetët.
Ndërsa, të enjten, ishte iniciuar një rezolutë obligative për Qeverinë, që të shtrijë zbatimin e Kushtetutës në veri, në fund Kuvendi ishte përcaktuar për një deklaratë politike joobligative.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se në zbatimin e strategjisë për veriun është i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar dhe se Kuvendi vetëm u ka dhënë atyre mbështetjen politike.
“Strategjia, e cila po përgatitet së bashku me ICO-në dhe komunitetin ndërkombëtar, do të jetë një strategji me obligime të përbashkëta të Qeverisë dhe të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Haliti.
Ndërkohë, opozita vë dyshime në planet për veriun. Iniciuesi i debatit për këtë çështje, Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, thotë se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka hequr dorë nga emri strategji dhe ka hequr nga ky dokument afatet e domosdoshme, që do të duhej t’i ketë.
“Ajo nuk quhet strategji, sepse propozuesi, ICO-ja, ka hequr dorë nga ai nocion. Nuk është strategji, nuk i ka elementet kryesore të strategjisë, atë të përcaktimit në kohë, të mekanizmave veprues dhe të rezultateve”, thekson Daci.
Strategjia për veriun kritikohet edhe nga deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi. Ai thotë se ky dokument nuk përmban në vete çështjet esenciale, që do ta karakterizonin atë si strategji dhe plan konkret për integrimin e veriut të Kosovës.
“Strategjia duhet të pasohet, të shoqërohet me një plan veprimi, ku janë të përshkruara qartë afatet e zbatimit, bartësit, aktivitetet dhe kostoja. Këto nuk i ka strategjia dhe si e tillë ajo është një letër, ku shprehet një dëshirë e mirë për integrimin e veriut, por nuk ka hapa konkretë të implementimit të saj”, thotë Gashi.
Ngjashëm me deklaratat e ditëve të fundit, edhe përmes seancës së fundit, kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë thirrje edhe opozitës që të bëhet pjesë e zbatimit të strategjisë për veriun.
Por, sipas Ardian Gjinit, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, opozita nuk do t’i kundërshtojë planet për integrimin e veriut, por nuk do të bëhet as pjesë e planeve që nuk janë të koordinuara mirë.
“Nuk mund të jemi pjesë e zbatimit të asnjë strategjie me këtë Qeveri. Ne nuk do të bëhemi pjesë e dështimeve të Qeverisë aktuale. Për hir të Kosovës, ne nuk do t’i bëhemi opozitë strategjisë për veriun, por nuk do të mund të punojmë me këta njerëz, është e pamundshme”, shprehet Gjini.
Sidoqoftë, Kuvendi, të enjten, nuk e ka obliguar Qeverinë, por u ka dhënë mbështetje angazhimeve për zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës dhe për pacenueshmërinë tokësore. Ndërkaq, ka mirëpritur angazhimet ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit në veri. (rel)
Shtuar më 08/03/2010, ora 00:17
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori