Komisioni hetimor i kryesuar nga opozita ka zhvilluar mbledhjen e parë të rikonstituimit, duke e nisur nga e para. Gjatë kësaj mbledhjeje është zgjedhur edhe një herë sekretar i komisionit, deputeti i PS¬së Ulsi Maja, i cili ishte votuar edhe herën e parë.
Kësaj radhe, hetimi i opozitës do të nisë nga emërimet në administratën publike që nga viti 2013 dhe afati fundor do të jetë shtatori i vitit 2015.
Komisioni hetimor do të ketë një afat prej 5 muajsh për të kryer atë që demokratët e kanë quajtur dekriminalizimin e administratës publike, për të evidentuar personat me të shkuar kriminale.
Edhe përfaqësuesi i maxhorancës, Musa Ulqini, tha se
komisioni nuk duhet të përfundonte si herën e kaluar. "Duke shpresuar që ky komision të mos ketë fatin e komisioneve të mëparshme dhe duke besuar te bashkëveprimi që do të kemi së bashku, besoj se mbledhja sotshme që me këtë rend dite është e mjaftueshme. Maxhoranca ka tërë angazhimin e vet të bëjë atë që i takon, sipas Kushtetutës dhe vendimit të Parlamentit", tha ai.
Gjatë mbledhjes së djeshme, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka propozuar që pjesë e
hetimit të emërimeve në administratën shtetërore dhe në entet e ndryshme të jetë dhe pushteti
vendor.
Sipas Boçit, janë hasur parregullsi të shumta në emërimet që janë bërë në pushtetin
vendor, për këtë arsye edhe ata duhet të jenë pjesë e objektit të
hetimit. "Në momentin që
komisioni hetimor nuk ka marrë në konsideratë emërimet dhe shkarkimet në pushtetin
vendor, duke qenë se ka shumë vërejtje për mënyrën se si është proceduar nga kryetarët e rinj të bashkive, unë kërkoj që në rregullore të përfshihet në mënyrë specifike hetimi i emërimeve në administratën e këtyre bashkive. Janë konstatuar mënyra joligjore të largimeve nga puna për arsye politike që janë bërë nga pushteti
vendor", u shpreh Boçi.
Ai propozoi dy alternativa, ose të votohej në Parlament një shtesë në afatin dhe në objektin e
hetimit të komisionit, ose të shtohej një pikë e veçantë në rregulloren e komisionit
hetimor. Por për deputetin e PS-së, Musa Ulqini,
komisioni duhet t’i qëndrojë strikt objektit të miratuar në Kuvend. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2015,
ora 09:05