Kuvendi i Kosoves miraton në parim edhe gjashtë projektligje
Albeu.com
Dita e katërt e punimeve të sesionit kuvendor të Republikës së Kosovës që i filloi punimet të martën, sot ka shqyrtuar dhe miratuar në parim edhe gjashtë projektligje.Seanca ka filluar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ushqimin. Prezantimi dhe arsyetimi i këtij projektligj para deputetëve u bë nga ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi për t'u mbështetur pastaj nga të gjitha grupet kuvendore të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky projektligj leximin e parë e ka kaluar në legjislaturën e kaluar dhe ka mbetur pa u futur në leximin e dytë, me amendamente të gatshme për miratim shkaku i mosmarrëveshjeve mes grupeve parlamentare për atë se kush duhet ta ketë nën kontroll Agjencionin për Kontrollin e Produkteve Ushqimore. Ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi në arsyetimin e tij për projektligjin për ushqimin tha se ai është një projektligj është gjithëpërfshirës. "Projektligji ka shtrirje në të gjitha fazat e prodhimit përpunimit, deponimit dhe distribuimit të ushqimit për njerëz dhe kafshë". Ai tha se qëllimi kryesor i këtij projektligji është sigurimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës që ushqimi i cili prodhohet, përpunohet, importohet, tregtohet dhe konsumohet të jetë i sigurt për çka edhe do të kryhen mbikëqyrjet inspektuese me qëllim të evitimit të çfarëdo parregullsie lidhur me afarizmin me ushqimin. Alush Gashi, ministër i Shëndetësisë, tha se për të mos qenë pengesë çështja e kontrollit politik të agjencive të ndryshme të themeluara nga Kuvendi i Kosovës e mbështet propozimin që të gjitha agjencitë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe krejt profesionale pa ndikim politik. Ministri Gashi u shpreh që edhe Agjencia për Kontrollin e Ushqimit të mos jetë nën kontroll të ministrisë që drejton ai, por as të Ministrisë së Bujqësisë. Këtë rekomandim ministri Gashi e dha edhe për Agjencinë e Kontrollin të Produkteve Medicinale për të cilat tha se derisa nuk gjendet një zgjidhje adekuate ligjore, mund të mbesin përkohësisht nën kontroll të drejtpërdrejt të Kryeministrit. Teuta Hadri në emër të GP të PDK së theksoi se projektligjit i jep mbështetje, por edhe ajo u shpreh që në punën e mëtejshme në komisione të tejkalohen paqartësinë që kanë qëndruar gjatë mandatit të kaluar. "Me këtë projektligj më shumë bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve më shumë se për atë të kafshëve dhe në mënyrë të padrejtë ky projektligj u ka ndarë Ministrisë së Mujqësisë për çka ka pasë diskutime dhe është bërë temë e diskutueshme", tha Hadri. Ajo shtoi se në debatet e komisionit për shëndetësi është rekomanduar që projektligji t'i takojë Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo më në fund për t'i tejkaluar këto tejkalime në mes grupimeve politike, përfundimisht është vendosur që sponzurues i këtij projektligji të Qeveria e Kosovës. Nyrishahe Ulaj në emër të GP të LDK së tha se projektligji përmbush standardet duke filluar nga higjiena, siguria e ushqimit për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve dhe si i tillë arrin përmbushjen e objektivave të përgjithshme. "Projektligji bazohet në pronën private dhe në ekonominë e tregut të lirë dhe në këtë kontekst parasheh edhe themelimin e agjencionit për ushqim ku do të hyjnë inspektorët sanitar të Kosovës, inspektorët fito sanitar e veterinar, sanitar kufitar si dhe inspektorët komunal", u shpreh ajo. Lulzim Zeneli në emër të GP të LDD së dhe në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Bujqësi theksoi se projektligji i cili ka qenë proceduar në seancën plenare të mandatit të kaluar dhe e ka kaluar leximin e parë dhe sipas tij i plotëson kushtet për miratim. "Ajo çka duhet të adresohet nga ana e komisionit si shqetësim i komisionit për qeverinë ose ministrinë përkatëse që në raport me këtë projektligj, qeveria ta qartëson konceptin e vet të rregullimit të kësaj materie", tha Zeneli. Arsim Rexhepi në emër të AKR së duke mos e kontestuar nevojën e miratimit të shpejt të këtij projektligji u ndal në situatën shumë të pasigurt të menaxhimit dhe të tregtimit të produkteve ushqimore. "Duhet ta analizojmë pak periudhën e pasluftës kur shoqëria e Kosovës i është nënshkruar një invazioni të mallrave nga të gjitha anët e botës për të cilat ne nuk e kemi as idenë kah vinë, si vinë, çfarë cilësie kanë dhe si ruhen dhe si shërbehen. Ne jemi dëshmitar që në periudhën e pasluftës numri dhe cilësia e sëmundjeve me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës ndryshon dukshëm nga numri dhe cilësia e atyre sëmundjeve që ky popull i ka takuar para luftës", tha ai. Naim Maloku në emër të AAK së tha se krejt esenca e ngulfatjes së ligjit që të kaloj në leximin e dytë gjatë mandatit të kaluar ka qenë lufta se kush do ta kontrolloj Agjencionin Kosova të Ushqimit. Pas deklarimit të Ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi që kjo agjenci përkohësisht të kontrollohet nga Qeveria e Kosovës dhe jo prej ndonjë ministrie, Maloku tha se realisht i hapet rrugës ligjit që të kalojë edhe në shqyrtimin e dytë. "Ky ligj i nderuari kryetar tash mund të miratohet që në seancën e ardhshme sepse vetëm neni 36 i këtij ligji duhet të ndryshojë në amandamentim dhe të miratohet në Kuvend sepse ligji është i gatshëm. Esenca ka qenë kush me i kontrolluar paratë sepse janë qindra miliona euro, mallra që vinë nga importi dhe normalisht në atë agjencion ka mundësi edhe për ryshfete edhe për para të mëdha dhe t'i lejohet dikujt importi i mishit nga Brazili", tha Maloku. Në ditën e katërt të sesionit plenar, deputetët me shumicë votash miratuan edhe Projektligjin për provimin përfundimtar dhe të maturës. Në shqyrtim të parë ka kaluar edhe Projektligji për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pas prezantimit nga zëvendëskryeministri Ramë Manaj, i cili tha se me këtë ligj rregullohet mundësia dhe e drejta e punësimit për një komunitet që ndihet i pafuqishëm në realizimin e jetës së tyre. Të gjitha grupet kuvendore i dhanë mbështetje miratimit në parim të këtij projektligji. Ky projektligj parasheh edhe masa ndëshkuese nga 200 deri në 2000 mijë euro, në rast se personi me aftësi të kufizuara keqtrajtohet nga punëdhënësi. Deputetët miratuan në parim edhe plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke e përkrahur të gjitha Grupet Kuvendore. Po ashtu, deputetët miratuan pa debat, përveç me shprehjen e qëndrimeve pro miratimit në parim edhe të projektligjit për mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu me shumicë votash deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për modifikimin gjenetik. Kuvendi vazhdon punimet edhe ditën e hënë me miratimin në parim edhe të tri projektligjeve. (QIK)
Shtuar më 29/02/2008, ora 22:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori