Kuvendi i Kosoves miratoi Ligjin per sherbimin civil te Kosoves
Albeu.com
Kuvendi i Kosovës ka miratuar më në fund Ligjin për shërbimin civil të Kosovës, i cili pritet t’i hapë rrugë rregullimit të statusit të shërbyesve civilë në të dyja nivelet e administratës.
Me 80 vota pro, një kundër dhe një abstenim, deputetët kanë miratuar këtë ligjin, pasi kanë miratuar paraprakisht 67 amendamentet e tij, rreth të cilave në seancën e kaluar ka pasur kundërthënie mes Komisionit për Administratë Publike dhe atij për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Deputetët e Kuvendit kanë miratuar edhe Projektligjin për pagat e nëpunësve civilë. Në seancën e së enjtes janë miratuar edhe propozim-amendamentet e Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në fillim të seancës, kryeministri Hashim Thaçi ka hedhur poshtë pretendimet e deputetëve të opozitës, të cilët e kanë konsideruar blerje kohe në prag të protestave të punëtorëve, miratimin në Qeveri të projektligjit të punës i cili i është proceduar tashmë Kuvendit.

Për më shumë, raporton portali Zeri.info, Thaçi e ka cilësuar si një punë të mirë të Qeverisë aktuale këtë akt, duke iu referuar faktit se për dhjetë vjet me radhë është kërkuar ky ligj, por nuk është proceduar asnjëherë. Megjithatë, kryeministri nuk e ka bërë të ditur për deputetët e Kuvendit koston financiare të projektligjit të punës.

Thaçi tha se ky projektligj është i harmonizuar me faktorin ndërkombëtar dhe se në të përfshihen të drejtat e punëtorëve, pagat, beneficionet, ndërprerja e punës, dispozitat ndëshkimore, dispozitat kalimtare etj.

Sipas kryeministrit, me këtë ligj do të rregullohen të drejtat dhe detyrimet, kontrata kolektive dhe kontrata e punës në përputhje me legjislacionin e BE-së. Thaçi ka thënë para deputeteve se edhe Projektligji për pensionistët do të procedohet brenda periudhës njëmujore.
Shtuar më 13/05/2010, ora 21:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori