Kuvendi i Kosoves miratoi Buxhetin e rishikuar
Albeu.com
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka miratuar pesë projektligj, përfshi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010 dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e normës së akcizës në Kosovë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2010 ka marrë shumicën e votave, duke u miratuar më 71 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Ndërkohë para miratimit në tërësi, me kërkesë të Komisionit për buxhet dhe financa, Kuvendi ka miratuar buxhetin e rishikuar të tri organizatave buxhetore për vitin 2010, Gjykatës Kushtetuese, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Buxheti i rishikuar i Kosovës ka marrë shumicën e votave, pasi që në Kuvend është proceduar Projektligji për Prishtinën, i cili ka qenë kusht i LDK-së për ta dhënë votën e saj për buxhetin.

Ndërkohë, ligjvënësit kanë miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e normës së akcizës në Kosovës, të cilin e ka kundërshtuar opozita.

Ibrahim Gashi në emër të Aleancës Kosova e Re dhe Besa Gaxherri në emër të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, kanë thënë se këto dy grupe parlamentare e kundërshtojnë miratimin e këtij ligji dhe se nuk do ta votojnë.

Ata kanë kundërshtuar faktin që me ligj t’i njihet e drejta Qeverisë që të vendos për vënien e akcizës për produkte të caktuara.

Deputeti i AKR-së Ibrahim Gashi ka thënë për Kosovapress se gjatë shqyrtimit të projektligjit është futur një nen që thekson se “Qeveria në konsultim me komisionin parlamentar vendos për vënien e akcizës për një produkt”, por kjo sipas tij, nuk e obligon Qeverinë.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë ligj, pasi që me këtë ligj Qeveria ka të drejtë që sa herë që të ketë mungesë buxheti të vërë akcizë për produkte të caktuara. Ne mendojmë se këtë të drejtë duhet ta ketë Kuvendi”, ka thënë Gashi.

Sido që të jetë shumica parlamentare ka votuar pro miratimit të këtij ligji, për të cilin kishte pasur diskutime të gjata edhe gjatë miratimit në Qeveri, edhe në Kuvend në shqyrtimin e parë.

Amandament pas amandamenti ligjvënësit kanë miratuar edhe Projektligjin për Administratën Tatimore dhe procedurat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe Projektligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Shtuar më 12/07/2010, ora 17:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori