Kuvendi i Kosovës mbështeti planin për pavarësi të mbikëqyrur
Albeu.com
Kuvendi i Kosovës miratoi sot njëzëri një Deklaratë me të cilën mbështet propozimin kryenegociatorit Ahtisari për statusin e Kosovës, me besimin se rekomandimet e tij paraqesin një zgjidhje të drejtë, të balancuar dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.Me këtë deklaratë Kuvendi i Kosovës zotohet se do të zbatojë plotësisht propozimin gjithëpërfshirës të marrëveshjes për statusin e Kosovës, të cilin sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, e ka paraqitur në KS, më 26 mars.
Kuvendi deklaron se dispozitat e marrëveshjes, nëse pranohet nga Këshilli i Sigurimit, do të jenë të obligueshme me ligj për Kosovën. Në këtë deklaratë, Kuvendi i Kosovës po ashtu përsërit se mirëpret praninë ushtarake dhe civile ndërkombëtare dhe se do të bashkëpunojë më të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen për statusin. Para miratimit anëtarët e Ekipit të Unitetit arsyetuan këtë deklaratë në emër të mbështetjes dhe përshpejtimit të marrjes së vendimit për statusin e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se z. Ahtisari kishte argumentuar fuqishëm rekomandimet e tij për statusin e Kosovës, prandaj institucionet e Kosovës duhet t’i japin dhe i kanë dhënë atij mbështetje të plotë.“I kemi dhënë mbështetje këtij procesi që hap rrugën e mëtejme të procedimit edhe më të shpejt, edhe nga ana e jonë dhe shpreh gatishmërinë të bashkëpunimit në proceset e ardhshme për finalizimin e këtij procesi të madh që ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”.Kryeparlamentari Kolë Berisha dorëzimin e propozimit të Ahtisarit në KS e cilësoi si një moment historik për Kosovën. “U shënua fillimi i fundit të njërës ndër epokat më të errëta në historinë e Kosovës dhe të popullit të saj. Kjo nënkupton fundin e robërisë dhe fillimin e realizimit të sigurt dhe shumë të shpejt të aspiratave krejtësisht ligjore të këtij populli për të jetuar i lirë dhe sovran në trojet e veta”.Kryeministri Agim Çeku shfaqi besimin e qeverisë se dokumenti i Ahtisarit ofron një zgjidhje të drejtë për Kosovën dhe ftoi të gjithë në Kosovë për ruajtjen e unitetit deri në përfundim të procesit.“Pavarësisht nga dallimet politike që kemi ne kemi kultivuar një vlerë të jashtëzakonshme dhe esenciale për të ardhmen e shtetit të ri. Unitetin për çështje madhore në interes kombëtar. Është e rëndësishme për Kosovën në të cilin hymë së bashku të na gjejë kështu bashkë edhe në fund të tij”.Edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, theksoi se uniteti sot është garanci për ndërtimin e shtetit të ri e të qëndrueshëm të Kosovës.“Kemi besimin e palëkundur se të bashkuar mund të të tejkalojmë çdo sfidë. Uniteti që ka mbizotëruar në mes popullit të Kosovës dhe politikës në luftën tonë të drejtë ka qenë i palëkundur. Ky unitet i cili nuk ka qenë kurrë më i fuqishëm se sot, dhe kurrë më i madh se sot, është hap i madh dhe i sigurt drejt ndërtimit të shtetit tonë modern. Kryetari i partisë ORA, Veton Surroi, përkujtoi ditët e Rambujesë para 8 vjetësh, kur Kosova për herë të parë kishte arritur marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare dhe si rezultat i saj, ajo ishte vënë në mbrojtjen edhe të forcave të NATO-s, kundër regjimit serb. Për këtë arsye, Surroi theksoi se Kosova duhet ta ruaj dhe ta zgjerojë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare.“Vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi nuk mbetet në këtë partneritet vetëm vullnet i këtij populli por njihte si interes i botës demokratike. Ajo që ndodhi më 26 mars dhe ajo që ndodhi edhe pardje në prani të kryetarit Sejdiu ishte në fakt akti me të cilin vullneti i qytetarëve të Kosovës u shndërrua në pozicion të mbrojtur nga perëndimi”.Anëtarët e Ekipit të Unitetit vlerësuan se Kosova tashmë është shndërruar në një çështje globale dhe me këtë rast i shprehën mirënjohje SHBA-ve, BE-së dhe në veçanti, presidentit Ahtisari dhe anëtarëve të Grupit të Kontaktit. Prandaj, ata theksuan nevojën për një përqendrim më të madh në zhvillimin e Kosovës, pas statusit, të bindur se pavarësia e saj do të arrihet shumë shpejt. rtk
Shtuar më 05/04/2007, ora 14:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori