Kuvendi e miratoi ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive
Albeu.com
Kuvendi pardje me 50 vota "për", katër "kundër" dhe tetë të përmbajtur e miratoi Ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.Ligjin e kanë përkrahur edhe 18 deputetë nga bashkësitë etnike, ndërsa dy janë deklaruar kundër, me çka është plotësuar edhe kushti që krahas shumicës së votave të deputetëve, për ligjin të votojnë edhe shumica e deputetëve të pranishëm të bashkësive etnike.

Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votimin. Ligji e rregullon të drejtën dhe mënyrën e përdorimit të flamujve përmes të cilave bashkësitë në Republikën e Maqedonisë e shprehin identitetin e tyre.
Bashkësitë në Republikën e Maqedonisë, flamurin me të cilin e shprehin identitetin e tyre, e përdorin në jetën publike, zyrtare dhe private në mënyrë të rregulluar me këtë ligj.
Sipas ligjit, qytetarët pjesëtarë të bashkësisë që është shumicë në ndonjë komunë, flamurin e tyre mund ta vendosin para objekteve dhe organeve të njësisë së vetadministrimit lokal, me atë që vazhdimisht duhet të vendoset edhe flamuri i Republikës së Maqedonisë.
Pjesëtarët e bashkësive në Republikën e Maqedonisë flamurin përmes të cilit e shprehin identitetin e tyre kanë të drejtë ta përdorin në jetën private dhe gjatë mbajtjes së ngjarjeve kulturore, sportive dhe të tjera që i organizojnë pjesëtarët e bashkësive.
Shtuar më 17/07/2005, ora 15:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori