Kuvend, replika Ruçi - Berisha
Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci kërkoi nga qeveria që të mos privatizojë çështjen e liberalizimit të vizave, pasi vendimi është meritë e të gjithëve, ndërsa theksoi se opozita nuk do të votojë ligjin për Gjykatën Administrative sepse nuk ka besim te kryeministri i vendit.

"Pushteti i kryeministrit i ka zënë frymën institucioneve të pavarura kushtetuese dhe këtë Berisha e ka treguar duke rrëzuar me forcën e kartonit kandidatë të shkëlqyer për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Të njëjtin mosbesim që kishte Amerika ndaj kryeministrit për të lëvizur kreun e SHISH atë mosbesim kemi edhe ne për Gjykatën Administrative", tha Ruci.

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha theksoi se nuk është ai që emëron anëtarët e Gjykatës Administrative dhe punën e saj e përcaktojnë ligjet e hartuara nga ekspertët më të mirë.

Në fjalën e tij para deputetëve, Ruci u shpreh se reforma zgjedhore do të bëhet vetëm kur të vihet drejtësia në vend, kur të bëhet transparenca dhe të zbatohet rezoluta e Parlamentit Evropian për hetimin e zgjedhjeve.

Ruçi tha se opozita nuk do të votojë Gjykatën Administrative derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e saj.

Kyeministri Berisha theksoi se e fton opozitën të bashkëpunojë për cështjet kryesore, por nga ana tjetër siguroi se qeveria do të vazhdojë me axhendën e saj për të garantuar rritjen ekonomike, ndryshimet në infrastrukturë dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.

"Nëse ju ftojmë për bashkëpunim, kjo nuk do të thotë se vetëizolimi juaj do të na pengojë në punën tonë", tha Berisha.

Kryeministri Berisha tha se gjykata Administrative, pas krijimit të emërohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe jo nga Qeveria. (albeu.com)
Shtuar më 14/10/2010, ora 12:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori